U kap brenda “shtëpisë së barit”, dënohet me burg 19-vjeçari shqiptar në Angli (EMRI)

Një i ri shqiptar është dënuar me burg pasi u kap duke u fshehur brenda një fabrike kanabisi në Staffordshire të Veriut. Policia zbuloi 188 bimë pasi u futën me forcë brenda pronës në High Street, në Talke.

Gjykata e Stoke-on-Trent Crown mori vesh se shqiptari Geraldo Meta kishte hyrë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar gjashtë muaj më parë dhe kishte qenë i pastrehë. Por dy ditë para arrestimit, Meta tha se i ishte ofruar diku për të qëndruar në këmbim të punës dhe ishte paguar 190 paund.

Tashmë 19-vjeçari është denuar me nëntë muaj burg. Prokurori Andrew Wallace tha se policia u thirr në pronë më 20 dhjetor dhe i pandehuri u gjet i fshehur nën një jorgan në shtrat.

Meta, pa adresë fikse, u deklarua fajtor për prodhimin e një droge të klasit B. Gjykata dëgjoi se ai nuk kishte dënime të mëparshme. /albeu.com


Shtuar 1.02.2023 10:06