U kallëzua për krime elektorale nga PD, reagon kryebashkiaku i Maliqit: Punësimet dhe investimet janë procedura të miratuara

Kryebashkiaku i Maliqit, Gëzim Topçiu, ka reaguar pas kallëzimit penal të bërë nga Ivi Kaso në SPAK, duke hedhur poshtë akuzat lidhur me punësimet dhe investimet publike në periudhën e zgjedhjeve.

Topçiu ka theksuar se nuk ka pasur mundësi të lexonte materialin e kallëzimit, por ka dhënë detaje për procedurat që janë ndjekur nga ana e tij dhe institucioneve të bashkisë.

“Bashkëpunëtorët e mi më kanë çuar diçka, por nuk e kam lexuar materialin dhe nuk jam njohur me të. Nga ajo që më kanë treguar, bëhet fjalë për dy momente: punësime gjatë periudhës zgjedhore dhe investime publike në territor,” ka deklaruar ai. Sipas Topçiut, me një urdhër të tij, të gjitha punësimet e reja janë pezulluar, një informacion që mund të verifikohet në institucionin e Bashkisë.

Ai shtoi se investimet publike që po realizohen janë të miratuara nga Këshilli i Bashkisë në vitin 2024 dhe përmbushin procedurat standarde dhe të miratuara nga Agjensia e Prokurimeve Publike, e cila siguron bazueshmërinë ligjore të çdo projekti. “Në konceptin tim, institucionet tona duhet të punojnë sipas miratimit që Këshilli i Bashkisë ka bërë dhe pas miratimeve të Agjensisë së Prokurimeve Publike”, tha Topçiu.

Përsa i përket akuzave për favorizim politik, Topçiu theksoi se investimet në territor janë të shpërndara në të gjithë bashkinë dhe nuk janë të orientuara për t’u shërbyer asnjë partie politike. Ai përmendi një investim trevjeçar për periudhën 2025-2027, i miratuar nga Këshilli i Bashkisë dhe Prefekti, duke siguruar se të gjitha procedurat janë ndjekur sipas ligjit.

“Ne nuk bëjmë rrugë për të majtë apo për të djathtë, bëjmë rrugë kudo në të gjithë bashkinë. Le ta shikojnë komunitetet tona sa të vërtetë jemi për këtë pjesë”, tha ai, duke kërkuar që institucionet përkatëse të verifikojnë ligjshmërinë e investimeve dhe punësimeve të realizuara.


Shtuar 25.04.2025 14:41