U hoq kushti për dozën e tretë të vaksinës anti-Covid, shqiptarët dynden drejt Kosovës, fluks në Morinë (VIDEO)

Mbrëmjen e djeshme, Komiteti i Ekspertëve në Kosovë, u mblodh dhe lehtësoi disa nga masat anti-Covid. Një prej tyre ishte kushti i dozës së tretë të vaksinës ose dy doza plus PCR, për të hyrë në Kosovë.

Tashmë kërkohet vaksina me dy doza ose një dozë dhe PCR. Ky lehtësim ka bërë që shqiptarët të dynden drejt Kosovës.

Kujtojmë se disa ditë më parë, kur kushti i tre dozave nuk ishte ndryshuar, shkaktoi zemërim të madh të qytetarëve të cilët udhëtojnë shpesh drejt Kosovës, sidomos ato në zonat e Kukësit dhe Hasit që punojnë dhe marrin shërbime atje.

Madje u zhvillua dhe një protestë dhe deputetja socialiste e qarkut Kukës i kërkoi qeverisë së Kosovës të rishikonte masat.

Mbrëmë masat ndryshuan, por ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Rifat Latifi, tha se nuk u lehtësuan për shkak të presioneve politike por për shkak se situata e Covid-19 paraqitet më mirë./albeu.com


Shtuar 5.02.2022 10:27