Babai i vajzës së mbijetuar nga aksidenti në Bullgari ka folur për T7, për tragjedinë në Bullgari që la të vdekur 46 persona.
Ai tha se vajza e tij bashkë me burrin e saj kishin shkuar të premten në Turqi për fundjavë, por që duke u kthyer autobusi u përfshi nga flakët.
Gjithashtu tha se dhëndri dhe vajza e tij kanë kërcyer nga dritarja e autobusit, dhe nga kërcimi vajza e tij e ka lënduar këmbën dhe ndodhet në operim. Teksa konfirmon se të dy janë jashtë rrezikut për jetë.
“Ditën e premtë i përcolla deri në Kumanovë, hypën në autobus, shkuan për vikend në Turqi, ndërsa duke u kthy, tu pritë me u kthy në orën pesë në mëngjes, e shfletova Facebook-un dhe e pash rastin, u hutova, s’disha çka të bëjë. Lajmin për shpëtimin e vajzës dhe dhëndrit e mora nga agjencioni në Shkup, aty kishte edhe familjarë tjerë, dhëndri u lajmëru tha se jemi mirë, deri aty u përmbajta por pastaj fillova të qaj. Vajza ka tregu që një djalë i vogël është përfshi nga zjarri, dhëndri ka kërcyer nga xhami dhe e ka gjujtë vajzën, ka kërcy edhe vetë, aty e ka thyer edhe këmbën”, tha ai në T7, transmeton Express.
“Bisedova me nipin i cili ndodhet në Sofje, janë taku më dhëndrin ndërsa vajza gjendet në operim të gjurit. Janë jashtë rrezikut për jetën”, u shpreh ai tutje.
Të paktën 45 persona, shumica shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, kanë gjetur vdekjen në rrethana tragjike në orët e para të mëngjesit të sotëm, pasi një autobus është përfshirë nga flakët në një autostradë në perëndim të Bullgarisë.
Në mesin e viktimave të aksidentit të sotëm ka edhe fëmijë.
Shtatë të mbijetuar po trajtohen ndërkohë në spitalin e kryeqytetit bullgar, Sofje, si pasojë e djegieve, ka thënë Nikolai Nikolov nga Ministria e Brendshme e Bullgarisë për televizionin BTV.
Në autobus besohet të kenë qenë mbi 50 persona./Express