U gjobit me 93 mijë lekë nga KAS, Gjykata e Apelit rrëzon kërkesën e Emirjana Sakos

Gjykata e Apelit, ka rrëzuar kryebashkiaken e Durrësit, Emirjana Sako, e cila kishte ankimuar vendimin e Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve, për gjobitjen e saj me 93 mijë lekë.

Togat e zeza vendosën pushimin e gjykimit të çështjes, ndërsa nuk lejohet apelimi.

“U vendos Pushimi i gjykimit të çështjes. Kundër këtij vendimi nuk lejohet ankim”, thuhet në njoftimin e Apelit.

Njoftimi i Gjykatës:

Sot, më datë 06.03.2024, ora 08:30, trupi gjykues i Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor, i përbërë nga gjyqtarët:

1.Edlira Petri (Relatore);

2.Manjola Xhaxho (Anëtare);

3.Esmeralda Xhili (Anëtare);

4. Sokol Ibi (Anëtar);

5.Alma Kolgjoka (Anëtare);

në seancë gjyqësore të zhvilluar në ambientet e Gjykatës Administrative të Apelit, në adresën: Rr.“Ismail Qemali”, Tiranë, pasi shqyrtoi çështjen Nr.1 Regj.Themeltar, Datë 22.02.2024 Regjistrimi, me:

PADITËSE: Emiriana Sako, në cilësinë e kandidates për kryetar bashkie e subjektit zgjedhor “Partia Socialiste e Shqipërisë”, në mungesë.

I PADITUR: Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përfaqësuar nga znj. Pavlina Docaj dhe z. Marisold Bardhi.

OBJEKTI: Ankim kundër Vendimit nr.07, datë 19.01.2024, të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve, pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

BAZA LIGJORE: Kodi Zgjedhor i Republikës se Shqipërisë, neni 92/2, pika 4, nenet 152 – 159, Vendimi nr. 13, datë 04 shkurt 2022 i Komisionit Regullator “Për miratimin e udhëzuesve për mënyrën e raportimit financiar gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore” ku në shtojcën 2, pika 1.

Për dijeni, Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), me Vendimin nr.07, datë 19.01.2024, objekt i kërkesëpadisë së mësipërme, ka vendosur:

“…

5.Vendosjen e sanksionit administrativ gjobë në vlerën 92.775 lekë ndaj znj. Emirjana Sako, kandidate për kryetare bashkie e “Partisë Socialiste të Shqipërisë”, dhe kalimin e fondeve të marra për llogari të KQZ-së, bazuar në pikën 5 të nenit 173 të Kodit Zgjedhor.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe publikohet në faqen zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës Administrative të Apelit, brenda 5 (pesë) ditëve nga shpallja e tij”. me Vendimin Nr.1, datë 06.03.2024, Kolegji Zgjedhor Gjyqësor, me shumicë votash,

VENDOSI

1.Pushimin e gjykimit të çështjes.

2.Kundër këtij vendimi nuk lejohet ankim.

U shpall në Tiranë më datë 06.03.2024.

Tiranë, më 06.03.2024

Gjykata Administrative e Apelit Tiranë.