U ekzekutua në lokalin e tij, Ardian Nikulaj përcillet për në banesën e fundit, la pas 4 fëmijë

Biznesmeni Ardian Nikuaj, i cili u ekzekutua dy ditë me armë në lokalin e tij teksa pinte kafe në Shëngjin është përsjellë sot në banesën e fundit.

Ceremonia mortore u mbajt në orën 13:00. 50-vjeçari do të prehet në varrezat Kodër Marlekaj. Nikulaj ishte baba i katër fëmijëve, të cilët i kishte me dy gra, çka pohohet edhe në njoftimin e vdekjes ku shkruhet “bashkëshorti i Rudinës dhe i Verës”.

Autorët e vrasjes së Nikulajt nuk janë identifikuar ende. Policia ka ngritur pika të shumta kontrolli në të gjithë territorin, gjithashtu kanë qenë të shumtë personat e shoqëruar në komisariatin e Lezhës për të deklaruar.

Sipas informacioneve, policia ka kryer disa kontrolle banesash dhe janë marrë pamjet e kamerave të sigurisë në zonë për të parë drejtimin në cilin ka lëvizur autori.

Burime bëjnë me dije se autori ka vepruar i vetëm në këtë vrasje dhe është larguar në drejtim të Shkodrës, por ende nuk është e qartë dhe për hetuesit nëse është larguar nga lagjia “Nënë Tereza” për të dalë në aksin rrugor Lezhë-Shkodër apo ka dalë nga aksi rrugor Shëngjin- Lezhë.

50-vjeçari Nikulaj ishte i njohur në zonën e Lezhës dhe më gjerë. Ai ishte pronar i një resorti të njohur në plazhin e Ranës së Hedhun që frekuentohej nga turistë të shumtë dhe kishin performuar këngëtarë e DJ të njohur, si dhe kishte në pronësi lokalin ku mbeti i vrarë. Prona të tjera ishin në emër të familjarëve të tij.

Ardian Nikulaj ishte kandidat për deputet nën siglën e PSD në zgjedhjet e vitit 2021. Edhe në këto zgjedhje që mbahen më 14 maj ishte kandidat për Këshillin Bashkiak. Shërbimet e policisë, kanë ngritur pika kontrolli dhe është rrethuar zona ku vijojnë kontrollet për kapjen e autorit/ve. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen dhe dokumentin e plotë të ngjarjes./albeu.com/


Shtuar 21.04.2023 15:10