45-vjeçari Bujar Leza ka mohuar çdo akuzë si i përfshirë në vrasjen e Behar Sofisë në 25 shkurt 2021.
Albeu.com raporton se Leza ka dalë sot në seancën për komunikimin e masës së sigurisë në Gjykatën e Posaçme, ku edhe ka mohuar të gjitha akuzat për bashkëpunim në vrasjen e 66-vjeçarit Sofia.
Ndërkohë që Gjykata i komunikoi masën e sigurisë “arrest me burg”, ai u shfaq i përlotur para trupës gjykuese.
Bujar Leza akuzohet për katër vepra penale: “vrasja me paramendim”; “mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “grupi i strukturuar kriminal” dhe “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Sipas dyshimeve të ngritura, Leza kishte njohje me të arrestuarin tjetër si bashkëpunëtor, Leonard Xhixha dhe së bashku kanë ruajtur lëvizjet e objektivit të sulmit Behar Sofia./albeu.com/