Që Andrea Pirlo është i ikur në fund të sezonit me Juventus, tashmë dihet botërisht dhe te “Zonja e Vjetër” po mendojnë për pasuesin e tij që më së shumti flitet për Massimilliano Allegrin.
“Tuttosport” që është pranë Juventusit ka raportuar për një plan ndryshe të drejtuesve të klubit të cilët nuk do të rikthejnë Allegrin por duan me çdo kusht Zinedine Zidane. Trajneri francez ka një kontratë deri në vitin 2022 dhe mund të largohet para kohe nëse klubi Italian paguan klauzolën e largimit ndërsa Reali do të ulte në stol pikërisht Allegrin.
Këtë të fundit, Perez e donte që në vitin 2018 por trajneri livornez preferoi të respektonte kontratën që kishte me Juventusin dhe tani është gati të provojë një aventurë të re në Madrid.
Do të jetë fundi i sezonit që do të qartësojë më shumë situatën dhe një ndërthurje e tillë trajnerësh është hipotezë e forte teksa hapi i parë do të jetë shkarkimi i Pirlos nga Juventusi edhe nëse arrin kualifikimin në Champions League. Ndoshta ky ndryshim i strategjisë nga Allegri te Zidane përkon me kërkesën e trajnerit Italian për të sakrifikuar Ronaldon ndërsa Juventusi e shikon ndryshe dhe për të kënaqur portugezin dëshiron të sjellë në skuadër teknikun francez.