Numri i strukturave akomoduese në vend në vitin 2021 shënoi rënie në raport me një vit më parë. Publikimi i përvitshëm i Institutit të Statistikave sjell në vëmendje se në vitin 2021 në gjithë vendin funksionuan 1.457 struktura akomoduese (hotele, motele, kampe, bujtina, streha malore dhe struktura të tjera për qëndrime afatshkurtra)). Një vit më parë numri i strukturave ishte 1469të tilla. Por edhe pse ka pasur ulje të numrit të strukturave vihet re se ka një rritje të numrit të dhomave dhe shtretërve çka tregon për mbylljen e strukturave më të vogla dhe hapjen e të rejave me kapacitete më të mëdha./
Numri i dhomave ishte 41 mijë në vitin 2021 dhe ai i shtretërve 98 mijë me një rritje 3% në raport me numrin e shtretërve në vitin 2020.
“Gjatë vitit 2021, industria e turizmit ka ofruar mesatarisht: rreth 35 shtretër në dispozicion të 1.000 banorëve; 64 % e shtretërve janë shfrytëzuar (netë qëndrime) nga jo-rezidentët; kapacitetet maksimale janë vënë në dispozicion gjatë muajit Gusht (rreth 34 mijë dhoma dhe 83 mijë shtretër); tremujori i tretë ka patur normën e shfrytëzimit më të lartë të shtretërve, rreth 36,6 %” thuhet në dokument.
Ndërkohë i njëjti publikim ndalet tek lejet e ndërtimit për hotele të cilat në vitin 2021 ishin në total 33 të tilla duke u rritur në raport me vitin 2020.
“Sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtim hotelesh, në vitin 2021, është rreth 144.000 m2, duke shënuar një rritje prej 87,0 % krahasuar me vitin 2020.
Vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit e miratuar për ndërtim hotelesh, në vitin 2021, është rreth 5,1 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 77,8 %, krahasuar me vitin 2020.
Gjatë vitit 2021, qarku Korçë shënoi numrin më të lartë në lejet e miratuara për “Hotele dhe të ngjashme” me rreth 27,2 % të lejeve gjithsej në nivel vendi” thuhet në publikimin e INSTAT.
Një tjetër aspekt që merr në përllogaritje publikimi është ai i ndikimit të turizmit tek industritë mbështetëse.
Sipas INSTAT vlera e shtuar e industrive të turizmit është rritur me 36,9 %, krahasuar me vitin 2020. Pesha që zënë industritë e lidhura drejtpërdrejt me turizmin në Produktin e Brendshëm Bruto (PBB) për vitin 2021 është 3,1 %./Monitor