Donald Trump deklaroi se Rusia mund ta kishte mbyllur luftën në Ukrainë që në ditën e parë të pushtimit, por sipas tij, avancimi drejt Kievit u pengua nga një vendim i gabuar ushtarak.
Duke iu referuar fillimit të konfliktit, presidenti amerikan tha se forcat ruse kishin në dispozicion një numër të madh tankesh që po lëviznin drejt kryeqytetit ukrainas përgjatë një autostrade të fortë dhe të përshtatshme për mjetet e rënda.
Të lidhura
None found
“Sikur të kishin vazhduar në atë rrugë, do të kishin qenë në Kiev brenda disa orësh”, u shpreh ai, duke pretenduar se Ukraina në atë fazë nuk do të kishte qenë në gjendje t’i ndalte.
Sipas Trump, një komandant rus vendosi që në vend të rrugës kryesore, trupat të kalonin nëpër zona bujqësore dhe terrene me baltë. Ai tha se shirat e dendur që kishin rënë disa ditë më parë bënë që tanket ruse të mbeteshin të bllokuara në terren të vështirë.
Trump kujtoi gjithashtu se gjatë mandatit të tij si president, Shtetet e Bashkuara i furnizuan forcat ukrainase me raketa antitank Javelin, të cilat, sipas tij, u përdorën për të goditur kolonat ruse të tankeve.
“Ata thonë se jam i mirë me Rusinë. Nuk jam. Kam qenë shumë i ashpër me Rusinë”, deklaroi 80-vjeçari, duke nënvizuar se ndihma ushtarake për Ukrainën ndikoi në frenimin e avancimit rus.
Ai tha se pamjet satelitore kishin treguar kolona të mëdha tankesh të mbetura të bllokuara për ditë me radhë dhe se sulmet me armë antitank i shkaktuan humbje të mëdha ushtrisë ruse.
Trump e përshkroi këtë situatë si një “gabim të tmerrshëm” nga ana e Rusisë dhe shtoi se shkatërrimi i tankeve ruse u dha ukrainasve më shumë besim për të vijuar rezistencën.
Këto deklarata të Trump vijnë në kuadër të diskutimeve të vazhdueshme për luftën në Ukrainë dhe për mënyrën se si u zhvilluan javët e para të konfliktit.
