“Trekëndëshi i Bermudës”, Presidenca i përgjigjet Bashës: Krizat i ke shpikur vetë

Presidenca i është përgjigjur kreut demokrat Luizm Basha, pasi ky i fundit ka thënë se Presidenti Ilir Meta është bërë bashkë me ish-kryeministrin Sali Berishën dhe kryeministrin Edi Ramën dhe kanë formuar atë që e quan “Trekëndëshi i Bermudës”.

Ka qenë, zëdhënësi i Presidentit Tedi Blushi i cili është shprehur se Basha vazhdon të përfshijë Metën në krizat që ka shpikur vetë.

Ndër të tjera, në reagim thuhet se, “kur z.Basha të takohet me Presidentin Meta do ta pranojë përfundimisht që 7 herë 7 bëjnë 49, as 42 apo 99”.

Reagimi i Presidencës:

Keqardhje, që z.Lulzim Basha, vazhdon të përfshijë Presidentin e Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta, në krizat që ai vetë i shpik pa u lodhur.

Për këtë arsye, i rikujtojmë z.Basha, KATËRKËNDËSHIN e përgjegjësive të tij madhore:

Bojkoti i reformës administrative-territoriale;

Bojkoti i reformës në drejtësi;

Djegia e mandateve të deputetëve;

Zerimi i opozitës në pushtetin vendor;

që sollën kapjen totale të shtetit.

Megjithatë, Presidenti i Republikës vazhdon të ketë vullnetin ta mirëpresë z.Basha, për çdo sqarim apo paqartësi, në Zyrën e Tij në Institucionin e Presidentit, ku gjithmonë është mirëpritur, sa herë ka kërkuar takime dhe ndihmë për të dalë nga bojkotet dhe krizat, që i shpikte vetë.

Kur z.Basha të takohet me Presidentin Meta do ta pranojë përfundimisht që 7 herë 7 bëjnë 49, as 42 apo 99.

Për Lulzim Bashën dhe çdo aktor tjetër të Partisë Demokratike, që kërkon të provokojë Presidentin e Republikës, duke i transferuar përgjegjësitë e tij për krizat dhe bojkotet, që sollën kapjen totale të shtetit, Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta ka vetëm një përgjigje: TRANSPARENCËN DHE FAKTET!

Nuk besoj se ka demokrat dhe shqiptar, që beson se Presidenti Meta u ikën përgjegjësive dhe ballafaqimeve për çështje të rëndësishme të demokracisë dhe shtetit të së drejtës./albeu.com


Shtuar 18.11.2021 17:27