Policia ka reaguar në lidhje me ngjarjen e rëndë që ndodhi pasditen e sotme në Klos.
Pas një përplasje me armë kanë mbetur të vdekur 3 persona dhe janë plagosur rëndë dy të tjerë.
Të vdekur kanë mbetur babë e bir, Ilir dhe Kenado Shira, ndërsa të plagosur Englantin dhe Renado Hasula që janë transportuar drejt Tiranës.
Autorët sipas policisë kanë qenë 3 vëllezër, Fatmir, Besnik dhe Fiqiri Mjeshtri, teksa ky i fundit ka vrarë veten.
Njoftimi i policisë:
Klos/Informacion paraprak
Në qytetin e Klosit, dyshohet se shtetasi F. M., 39 vjeç, në bashkëpunim me dy vëllezërit e tij, ka vrarë me armë zjarri, për motive të dobëta, shtetasin K. Sh., 17 vjeç, si dhe kanë plagosur shtetasit I. Sh., 46 vjeç (babai i 17-vjeçarit), R. H., 14 vjeç dhe E. H., 39 vjeç (babë e bir).
Të tre të plagosurit janë transportuar në spital, për ndihmë mjekësore. Si pasojë e plagëve të marra, shtetasi I. Sh. ka humbur jetën në spital.
Shërbimet e Policisë, menjëherë pas marrjes së njoftimit kanë rrethuar zonën, kanë bllokuar hyrje-daljet e qytetit të Klosit dhe kanë ushtruar kontrolle në banesa, lokale dhe në ambiente të tjera.
Gjatë kontrollit të zonës, shërbimet e Policisë kapën dhe shoqëruan në ambientet e Policisë, shtetasin F. M., 44 vjeç dhe vëllanë e tij, shtetasin B. M., bashkëpunëtorë në këtë ngjarje.
Gjithashtu, gjatë kontrollit të zonës, shërbimet e Policisë kanë gjetur të pajetë, dyshohet të vetëvrarë, autorin kryesor të kësaj ngjarjeje, shtetasin F. M., 39 vjeç.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat, vijon punën për sqarimin dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes./albeu.com