Tre senatorë amerikanë infektohen me Covid-19

Tre senatorë thanë të enjten se rezultuan pozitivë në testet për COVID-19 pavarësisht se ishin të vaksinuar. Ata i bashkohen një numri figurash të profilit të lartë të infektuar me variantin më ngjitës delta të koronavirusit që po përhapet me shpejtësi në të gjithë Shtetet e Bashkuara.

Senatori i pavarur Angus King nga shteti i Mejnit, senataori republikan nga Misisipi, Roger Wicker, dhe senatori demokrat nga Kolorado, John Hickenlooper, thanë se kanë rezultuar pozitivë në testet për koronavirusin. Pothuajse të gjithë anëtarët e Senatit kaluan shumë orë së bashku në dhomën e Kongresit javën e kaluar në një seancë për votimin e buxhetit para se të largoheshin nga Uashingtoni për pushimet e gushtit.

Senatori King tha se filloi të ndiente ethe të mërkurën dhe bëri një test për Covid-19 pas rekomandimit të mjekut të tij. “Ndërsa nuk ndihem mirë, padyshim që jam shumë më mirë sesa po të mos isha i vaksinuar”, tha ai.

Zyra e senatorit Wicker tha se ai doli pozitiv për virusin të enjten në mëngjes.

“Senatori Wicker është plotësisht i vaksinuar kundër COVID-19, është në gjendje të mirë shëndetësore dhe po trajtohet nga mjeku i tij në Tupelo”, thuhej në një deklaratë të lëshuar nga shefi i personelit të tij. “Ai është në vetë-izolim, dhe të gjithë ata me të cilët Senatori Wicker ka patur kontakt së fundmi janë njoftuar.”

Senatori Hickenlooper e bëri njoftimin për testin pozitiv disa orë më vonë.

“Ndihem mirë, por do të vetë-izolohem me rekomandim të mjekut. Unë jam mirënjohës për vaksinën (dhe shkencëtarët që e kanë zbuluar atë!), e cila i ka kufizuar simptomat e mia”, tha senatori Hickenlooper në një postim në Twitter. “Nëse nuk jeni vaksinuar, bëni vaksinën sot! Merreni edhe dozën përforcuese kur të vijë koha!”

Këto raste të koronavirusit në mesin e të vaksinuarve vijnë një ditë pasi zyrtarët shëndetësorë amerikanë njoftuan planet për të ofruar një dozë përforcuese të vaksinës kundër COVID-19 për amerikanët. Ata thanë se dozat përforcuese janë të nevojshme për të rritur mbrojtjen e amerikanëve kundër variantit delta mes shenjave të dobësimit të efektivitetit të vaksinave me kalimin e kohës.

Senatori republikan Lindsey Graham njoftoi më 2 gusht se ishte infektuar me COVID-19 pavarësisht se ishte i vaksinuar. “Uroj një shërim të shpejtë për miqtë dhe kolegët e mi të mirë”, tha ai në një postim në Twitter të ejten.

“Nëse nuk e keni bërë tashmë, ju lutemi merrni vaksinën”,shtoi senatori Graham.

Dhjetëra anëtarë të Kongresit kanë njoftuar për teste pozitive të koronavirusit. Ligjvënësi 67 vjeçar republikan nga Teksasi, Ron Wright vdiq nga sëmundja në fillim të këtij viti ndërsa ligjvënësi i zgjedhur republikan nga Luiziana, Luke Letlow, vdiq në dhjetor para se të fillonte mandatin. Ai ishte 41 vjeç./VOA


Shtuar 20.08.2021 13:35