Duket se tragjedia e ndodhur në Himarë, ku mbeti viktimë një 7-vjeçare, pasi u godit nga gomonia e drejtuar nga komisari Arjan Tase, nuk ka ndikuar të drejtuesit e skafeve.
Ndërkohë mjetet lundruese vijojnë të mos respektojnë zonën e kufizuar.
Policia e Vlorës, ditën e djeshme ka bllokuar 3 mjete lundruese, 1 gomone dhe 2 “Jet Ski.”
Pronari i njërit prej mjeteve lundruese, i cili nuk ka respektuar zonën e kufizuar për mjetet lundruese, po në Potam të Himarës ku ndodhi tragjedia është ndëshkuar me masë administrative 100.000 lekë.
“Shërbimet e DVKM Vlorë, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Vlorë, në vijim të kontrolleve të mjeteve lundruese, duke marrë shkas dhe nga pamjet filmike të publikuara ditën e djeshme, në rrjetet sociale, në të cilat shfaqej një mjet lundrues tip gomone, me të cilin po transportoheshin pasagjerë, në një zonë të kufizuar për mjetet lundruese, në plazhin e Potamit, Himarë, kanë bërë të mundur lokalizimin e tij. Pas lokalizimit të mjetit lundrues tip gomone, në bazë të ligjit nr.43/2020 datë 23.04.2020, neni 6, u ndëshkua me masë administrative 100.000 lekë të rinj, pronari i mjetit lundrues, shtetasi V. P., 50 vjeç dhe u bë bllokimi i këtij mjeti, në portin e Himarës”, informuan blutë e Vlorës.
Gjithashtu, në vijim të kontrollove, në Himarë, u bë bllokimi dhe i 2 mjeteve të tjera lundruese “Jet ski”, në pronësi të shtetasit F. B., me qëllim kontrollin për dokumentacion, si dhe për verifikim nga Seksioni i Trafiqeve në DVP Vlorë.
Pas ngjarjes tragjike të ndodhur më 2 gusht, policia ka filluar një aksion në gjtihë bregdetin shqiptar duke bllokuar gjithë mjetet lundruese me shkelje, pa dokumentacion por edhe ato që janë shqetësim për pushuesit.
Por edhe pse u kujtua vetëm pas tragjedisë së Himarës, me sa duket masat dhe paralajmërimet nuk kanë qenë efektive.