Ka shkuar 78 numri i të vdekurve nga mbytja e anijes së peshkimit në detin e Mesdheut në Greqi në afërsi të Kallamatës.
Numri i të shpëtuarve mbetet njësoj, 104.
Mediet greke raportojnë se bëhet fjalë për një tragjedi të përmasave të mëdha, pasi në anije dyshohet se ndodheshin rreth 700 pasagjerë që do të thotë se numri i të vdekurve mund të jetë shumë herë më i madh nga shifrat zyrtare.
Sakaq sipas një vlerësimi të Rojes Bregdetare, bazuar në përmasat e anijes, është e pamundur që të mbajë 700 pasagjerë. Anija e peshkimit plotë me emigrantë nga Afganistani, Pakistani, Siria dhe Palestina ishte nisur nga Tobroku, Libi, me destinacion Italinë. Nuk dihen ende rrethanat që çuan në mbytjen e anijes.
Misteri i shkaqeve dhe fundosja e anijes
Anija, e cila ishte nisur nga Tobruku i Libisë, lundroi për pesë ditë me mot të mirë derisa arriti në pikën ku u mbyt.
Të martën pasdite, një varkë Frontex iu afrua anijes dhe i ofroi ndihmë ndihmë emigrantëve pasi varka ishte plot. Por sipas informacioneve, emigrantët në bord kanë refuzuar ndihmën e ofruar nga Roja Bregdetare dhe kanë deklaruar se duan të vazhdojnë udhëtimin drejt Italisë.
Sipas burimeve të protothema.gr , emigrantët që ndodheshin në anijen e peshkimit nuk dinin të notonin, ndërsa asnjë nga të shpëtuarit nuk ishin të pajisur me jelekë shpëtimi.
Ajo që ka bërë përshtypje është se si trafikantët e drejtuan mjetin lundrues në pjesën më të thellë të Mesdheut, vendin ku u mbyt, ndërkohë që ajo rrugë detare nuk është në rrugën e zakonshme që anijet me emigrant ndjekin për të shkuar në Itali.
Dëshmitë thonë gjithashtu se teksa anija po lundronte, papritur ka pasur një goditje majtas dhe më pas djathtas dhe më pas ëhstë fundosur.
Ngjarje të ngjashme nga e kaluara kanë treguar se goditje të tilla shkaktohen nga përleshjet midis pasagjerëve .
Këto dëshmi, në fakt, ngrenë dyshime për mundësinë që kontrabandistët e emigrantëve t’i kishin bllokuar emigrantëtë në anije për të pasur kontrollin e plotë të varkës./albeu.com/