Trafik armësh dhe droge drejt Maqedonisë së Veriut, arrestohen tre persona në Elbasan

Në kuadër të operacionit “Bags”, uniformat blu, kanë vënë në pranga tre persona për trafik droge dhe armësh drejt Maqedonisë së Veriut.

Gjatë operacionit “Bags”, u arrestua një 28-vjeçar që transportonte dy qese me 27.3 kg cannabis, ndërsa gjatë operacionit “Entrance” u arrestuan dy persona të cilët tentuan të trafikonin një kallashnikov dhe municion luftarak.

Në fshatin Rrajcë të Prrenjasit ra në pranga E. A., 28-vjeç  banues në Fushë Krujë, i cili po udhëtonte me makinën tip “Toyota”.

Ndërsa S. M., 21-vjeç dhe pasagjeri A. M., 22 -vjeç, të dy banues në Divjakë, u arrestuan në hyrje të qytetit të Elbasanit.

Si rezultat i 2 hetimeve me metoda proaktive, të kryera në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca e Policisë së Elbasanit, në kuadër të megaoperacioneve “Tempulli 2” dhe “Sundimi i ligjit”, dhe të ndjekura në bashkëpunim me Prokurorinë e qarkut, specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me shërbimet operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, finalizuan brenda 12 orëve, 2 operacione policore, kundër trafikimit të lëndëve narkotike dhe armëve të zjarrit.

-Në kuadër të operacionit antidrogë të koduar “Bags”, në fshatin Rrajcë, Prrenjas, shërbimet e Policisë lokalizuan dhe ndaluan për kontroll, automjetin tip “Toyota”, me drejtues shtetasin E. A., 28 vjeç, banues në Fushë Krujë. Në këtë automjet u gjetën 2 qese me rreth 27.3 kg lëndë narkotike cannabis sativa, sasi e cila dyshohet se do të trafikohej nga shtetasi E. A., drejt RMV-së. Në përfundim të veprimeve procedurale u arrestua në flagrancë 28-vjeçari dhe u sekuestrua sasia e lëndës narkotike.

-Në kuadër të operacionit “Entrance”, në hyrje të qytetit të Elbasanit, u lokalizua dhe u ndalua për kontroll, automjeti tip “Audi”, me drejtues shtetasin S. M., 21 vjeç, dhe ku ishte pasagjer shtetasi A. M., 22 vjeç, të dy banues në Divjakë. Në këtë automjet u gjet 1 armë zjarri kallashnikov dhe 114 fishekë luftarak që dyshohet se posedoheshin me qëllim trafikimin drejt RMV-së. Në përfundim të veprimeve procedurale u arrestuan në flagrancë të 2 shtetasit, si dhe u sekuestruan arma e zjarrit dhe municioni.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme”.