Një pjesë e zyrtarëve rusë kanë nisur të dalin hapur kundër regjimit të Putinit, duke kërkuar dorëheqjen e tij.
Kanë qenë këshilltarët komunalë të 18 rretheve të Moskës dhe Shën Petersburgut, të cilët i kanë bërë thirrje presidentit rus Vladimir Putin të japë dorëheqjen.
Apeli u publikua nga këshilltarja komunale e rrethit Semyonovsky të Shën Petersburgut, Ksenia Tortsyom.
“Ne, këshilltarët komunalë të Rusisë, konsiderojmë se veprimet e presidentit Vladimir Putin dëmtojnë të ardhmen e Rusisë dhe qytetarëve të saj”, thuhet në apel.
Javën e kaluar, këshilli bashkiak i Smolninskoye në Shën Petersburg me vendimin e tij u kërkoi deputetëve të Dumës së Shtetit (dhoma e ulët) të ngrinin akuzën e tradhtisë së lartë kundër Presidentit rus Vladimir Putin për shpalljen e luftës kundër Ukrainës dhe për këtë arsye ai duhej të largohej nga detyrat e tij. Pro votuan shtatë këshilltarë bashkiakë, ndërsa tre abstenuan.
Të nesërmen, më 9 shtator, këshilltarët që nënshkruan peticionin u thirrën në komisariat, ku u proceduan penalisht për “shpifje” ndaj ushtrisë ruse, sipas medias opozitare ruse, novayagazeta.eu.
Në të njëjtën ditë, më 9 shtator, në faqen zyrtare të këshillit të qytetit të rrethit Lomonosov të Moskës, u publikua një apel i këshilltarëve të qytetit drejtuar Presidentit Putin që i kërkonte të jepte dorëheqjen. Në apelin e tyre këshilltarët bashkiakë deklaruan se për mirëqenien e vendit duhet të ndryshojë pushteti dhe theksuan se pas mandatit të dytë të presidentit rus “gjithçka shkoi mbrapsht”./albeu.com/