Dy organizata kriminale ndërkombëtare për trafikun e paligjshëm të drogës bashkuan forcat dhe vepronin në Peru.
Anëtarët e grupeve udhëtonin në territorin peruan duke koordinuar dhe planifikuar strategjitë se si të dërgonin tonelata me kokainë në Evropë.
Grupi “Tyson” që konsiderohet ndër më të fuqishmit e tregtimit të narkotikëve në drejtim të Evropës nga vendet e Amerikës Latine, ka në përbërjen e tij edhe shqiptarë.
Si funksiononte grupi “Tyson”
Janë detaje mjaft interesante që flasin për grupin e njohur si “Tyson”.
Ato janë publikuar për bandat kriminale të kokainës që operojnë në Peru, pjesë e të cilit është dhe shqiptari i arrestuar, Kadri Gjoci.
Media peruane ka publikuar disa regjistrime e video gjatë hetimit ku Gjoci dhe shtetasi italian i arrestuar me të, Pasquale Bifulco, takoheshin me anëtarë e krerë të bandave kriminale peruane, me të cilat bashkëpunonin, ku pjesë e tyre janë dhe dy shqiptarë të shpallur në kërkim.
Banda “Tyson”, siç cilësohet dhe nga hetuesit, furnizonte me kokainë mafiozët ndërkombëtarë për ta eksportuar më pas në Europë. Në video janë publikuar dhe foto gjatë takimit të tyre me dy të shpallur të tjerë në kërkim: Robert Suloti dhe Mamo Espitare.
Mediat bëjnë me dije se që të dy janë shtetas shqiptarë, ndonëse njëri prej tyre nuk ka as emër dhe as mbiemër që lidhet me shqiptarët. Megjithatë, sipas të dhënave që kanë dalë për këtë grup bëhet me dije se në kartelin e drogës që drejtohet nga një prej emrave më të njohur të Ndraghetës, ka të përfshirë edhe trafikantë të shteteve të tjera, kryesisht nga vendi ku edhe është fiksuar qendra e këtij grupi të fuqishëm kriminal.
Goditja e grupit kriminal
Në ditët e para të shtatorit, agjentët e antidrogës në Peru ranë në gjurmët e një sasie shumë të madhe kokaine që duhej të nisej në drejtim të dy pikave portuale në Hamburg dhe në një prej porteve në Itali. Gjatë operacionit policor vendas u identifikua si një ndër bosët e këtij karteli një 28 vjeçar me emrin Kadri Gjoci, i cili është nga Burreli dhe rezulton të ishte i rreshtuar krah një prej trafikanteve më të njohur të “Ndragheta” në botë, Pasquale Bifulco. Ky i fundit bëhet me dije se është kapur nga autoritetet peruane në një supervilë luksoze.
Në këtë rezidencë, që sipas mediave vendase gjendet në Casuarinas, ai kishte lulishte të mëdha, një pishinë, një palestër dhe komoditete të ndryshme. Policia ishte në kërkim të një subjekti që njihet me pseudonimin “Tyson” për shkak të ngjashmërisë fizike me boksierin e famshëm amerikan. Sipas Policisë, ai ishte furnizuesi i drogës i organizatës shqiptare dhe italiane që dominon trafikun e paligjshëm të hidroklorurit të kokainës drejt Europës. Policia peruane ka mundur ta kapë pikërisht Kadri Gjocin, shtetas shqiptar, i cili i përket kartelit famëkeq “Cártel de Los Balcanes”.
Arrestimi i tij ndodhi pikërisht në godinën luksoze në Surquillo. Aty pranë, në Miraflores, agjentët e Dirandro ndërhynë duke arrestuar Pasquale Bifulcon, italiani i cili është pjesë e mafies “Ndrangheta”, e famshme për kontrollin e rreth 80 përqind të trafikut të kokainës në Europë. Ky operacion u krye nga agjentët e Divizionit të Hetimeve Speciale të Dirandro, Divinesp. Por Pasquale Bifulco është një i njohur i vjetër në Peru. Tetë vjet më parë ai u arrestua në San Isidro për një urdhër arresti ndërkombëtar për dërgimin e një ngarkese droge në Itali.
Kontaktet e operacionit të fundit të bandës italo-shqiptare ishin aq të sakta dhe efektive sa lejuan që 2.5 tonë drogë të çoheshin nga Peruja në portin e Hamburgut në Gjermani. Ajo që trafikantët nuk dinin ishte se Policia po vëzhgonte këtë ngarkesë.
Kush janë dy shqiptarët në kërkim
Shqiptari Robert Suloti është i shpallur në kërkim për kokainën, ndërsa shqiptari tjetër i shpallur në kërkim është identifikuar si Mamo Espitare./ALbeu.com/