Tom Doshi i kërkoi KQZ ta zëvendësojë, reagon Celibashi

Kreu i Partisë Social Demokrate Tom Doshi ka dhënë dorëheqjen. Në letrën e dorëheqjes, Tom Doshi shkruan se me vullnetin e tij të lirë ka hequr dorë nga mandati i deputetit. Ai thekson se vendimi është i parevokueshëm dhe kërkon që KQZ ta zëvendësojë mandatin e tij me të një tjetri. Po ashtu Doshi largohet edhe nga lista shumëemërore e PSD duke u tërhequr nga gara e zgjedhjeve.

Për kete kërkesë është pyetur Kryetari i KQZ, Ilirjan Celibashi i cili u shpreh se është akoma herët dhe nuk e kanë vlerësuar kërkesën, por shtoi se do të procedohet sipas parashikimeve të kodit.

“Akoma nuk e kemi vlerësuar, është shumë herët për ta vlerësuar këtë kërkesë, do trajtohet sipas kodit” tha ai.

E ndërsa kritikoi hapur komisionerët që largohen duke pezulluar numërimin me justifikimin e se janë të lodhur, Celibashi u shpreh i bindur duke i qëndruar deklaratës se rezultati do të dalë brenda 48 orëve nga momenti i mbylljes së kutive.