Në një vendim të minutave të para pas mesnatës së sotme, Tom Doshi, një prej personazheve më të përfolur të kësaj fushate mori papritur vendimin e dorëheqjes nga mandati i deputetit, dhe kërkoi zëvendësimin e tij nga KQZ, nga persona që renditen më poshtë në listë.
Teksa PSD e tij ka një rezultat të kënaqshëm në Tiranë dhe në Shkodër, duket se kjo forcë politike mund të jetë përcaktuese në qeverinë e ardhshme.
Doshi ishte renditur i dyti në Qarkun e Tiranës, ndërsa i pari është kandidati Gertjan Deda, ndërsa në Qarkun e Shkodrës ishte renditur i pari dhe në vend të dytë është kandidati Gledis Çeliku.
Doshi shkaktoi edhe disa reagime nga ambasadorja amerikane Yuri Kim më herët e cila kërkoi që për shkak të shpalljes së tij non grata nga SHBA të mos përfshihej në qeveri. Duket se tashmë, pasi bëri një fushatë të fortë, edhe nën akuza për blerje votash, Doshi ka vendosur që ti lajë duart njëherë e mirë me politikën.