Një ngjarje e rëndë ka shënuar këtë fundjavë futbollin argjentinas. Një tifoze e skuadrës së Atletiko Rosario Central, ka mbetur e vdekur pasi është qëlluar me gurë nga tifozët kundërshtarë të Njuell’s Old Bojs, pas ndeshjes mes dy skuadrave.
Sipas mediave lokale, Ivana Paula Garsilazo Bejon, po udhëtonte me motor me partnerin e saj, teksa është vënë nën breshërinë e gurëve nga tifozët e Njuell’s.
Ajo është rrëzuar dhe rënia ka qenë fatale, pasi ka mbetur e vdekur, pavarësisht ndihmës së shpejtë që iu dha.
Policia ka bërë të ditur se ka arrestuar dy persona në lidhje me këtë ngjarje të rëndë, teksa është në kërkim një i tretë, nën akuzën e vrasjes.
Kohët e fundit në Argjentinë ka patur një rritje të ndjeshme të akteve të dhunës në aktivitetet sportive dhe kjo ka bërë që të ketë një alarm të përgjithshëm për situatat e krijuara.