Tifozët e gjithë Europës kundër presidentit të Juventusit: Do të na pijë gjakun me lakmi pa kufi

Andrea Anjeli është kthyer në armikun më të urryer nga tifozët e klubeve më të mëdha e më me traditë në Europë. Presidenti i Juventusit, në krye edhe të ECA, organizatës që bashkon klubet elitare evropiane, po mundohet që të ndërtojë Ligën e Kampioneve në favor të klubeve të mëdha, për të siguruar të ardhura më shumë dhe kjo nuk u pëlqen tifozëve të cilët nëspërmjet një letre e kanë sulmuar ashpër atë.

Ata janë kundër reformës që po mendohet për Ligën e Kampioneve duke e cilësuar “një reformë të imagjinuar nga një grusht klubesh jashtëzakonisht të pasur”. Mes firmave ishin grupimet e ultrasve të Lionit, PSG, Arsenal, Bajern Mynih, Mançester Junajtid dhe Real Madrid. “Plani yt i ristrukturimit është i bazuar mbi rritjen e ndeshjeve, përfshirjen e një kualifikimi të bazuar te rezultatet e të kaluarës dhe përvetësimi i të drejtave komerciale të turneut, kërcënon integritetin e sportit në tërësinë e tij.

Kjo është një tentativë për të rritur diferencën e krijuar nga të pasurit me të tjerët, të shkatërrojë kampionatet kombëtare dhe të kërkojë që tifozët të sakrifikojnë gjithnjë e më shumë kohë dhe para për të ndjekur klubet e tyre. Lobimi i klubeve po mundohet të gjejë mënyra të reja për të na pirë gjakun, por ne nuk kemi as kohën dhe as paratë për të investuar në fantazitë e tua apo për të financuar lakminë tënde pa kufi”, shkruhej në këtë letër që i drejtohej UEFA-s dhe ECA-s.  /vipsport.al/

 


Shtuar 16.04.2021 17:18