Ish-deputeti dhe ish-kandidati për kryebashkiak të Kuçovës, Lefter Maliqi, i kërkon KQZ-së që të mblidhet dhe të heqë mandatin e kreut të bashkisë Kreshnik Hajdari.
Ai është paraqitur pranë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ku ka dorëzuar kërkesën e dytë për mandatin e kryebashkiakut të Kuçovës, Kreshnik Hajdari, i cili sipas verifikimeve të Prokurorisë së Përgjithshme, rezulton i dënuar në Greqi, penalitet që nuk e ka deklaruar.
Të lidhura
None found
Maliqi deklaroi se ai kërkon pavlefshmërinë e mandatit të Hajdarit dhe paralajmëroi se çështja do të ndiqet madje edhe me kallëzime të reja në SPAK.
“Jam pranë KQZ-së me kërkesën e dytë për mbledhje urgjente për shkarkimin e Kreshnik Hajdarit. Kërkojmë pavlefshmërinë e mandatit të tij, të cilën do ta ndjekim deri në Kolegj Zgjedhor, madje nëse do të ketë pengesa edhe me padi dhe kërkesa të reja në SPAK”, u shpreh Maliqi.
Ai tha se kanë kërkuar zgjerim të hetimit administrativ dhe që KQZ të marrë informacion të plotë mbi statusin e Hajdarit, si edhe të rivlerësojë dokumentacionin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” lidhur me dënimin penal në Greqi të kryebashkiakut të Kuçovës.
Sipas Maliqit, KQZ duhet të marrë masa për shpalljen e paligjshme të mandatit të Hajdarit. Maliqi akuzoi gjithashtu për zvarritje të procesit, duke thënë se prej më shumë se tre vitesh “është blerë kohë për shkak të ndërhyrjeve oligarkike dhe parave të pista”.
Ai kujtoi se opozita kishte kërkuar shkarkimin dhe moskandidimin e Hajdarit që në vitin 2023, ndërsa shtoi se KQZ e kishte kaluar çështjen për hetim të thelluar, por sipas tij, institucioni e mbrojti kryebashkiakun. Sipas Maliqit, më pas çështja u dërgua në KAS, i cili rrëzoi vendimin e KQZ-së.
“Kemi kërkuar zgjerim të hetimit administrativ, KQZ dhe të kërkojë informacion për statusin e Hajdarit. Të rivlerësojë dokumentacionin e Koalicionit ‘Bashkë fitojmë’ për dënimin penal grek për Hajdarin. Të merren masa për shpallje të paligjshme të mandatit të kryetarit të bashkisë. I drejtohemi kryekomisionerit që nëse sot do të paraqitej një kandidat i dënuar me vendim të formës së prerë, a do e lejonit kandidimin e tij? A ju bind sot vendimi penal i SPAK, që dënoi Hajdarin? U bënë mbi 3 vjet që u ble kohë për shkak të ndërhyrjes oligarkike dhe parave të pista. Ju e dini që ne kemi kërkuar shkarkimin dhe moskandimimin e Hajdarit në 2023-in. KQZ e çoi për hetim të thelluar rastin dhe erdhi e njëjta përgjigje, por Komisioni Qendror i mbrojti Hajdarin”, tha ai.
Dhe më tej shtoi se:
“Ne e çuam në KAS, që rrëzoi vendimin e KQZ. Bejteja ime është që t’i kthejë votën e lirë qytetarëve të Kuçovës. Këtë betejë do ta fitojmë dhe moralisht e kemi fituar. Qyteti i Kuçovës do të kthehet në kantier ndërtimi. Hajdari është i ikur përfundimisht, por në krye të Kuçovës të vihet një drejtues i denjë. Ligji dhe vetëm ligji do të mbizotërojë në këtë vend!”, u shpreh ish-deputeti.
