Ish-vartësi i presidentit Vuçiq që tani shërben si ambasador i Serbisë në ShBA, Marko Gjuriq, ka sulmuar raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.
Arsye për sulmin ndaj raportueses, sipas tij ka qenë mbështetja që kjo e fundit i ka dhënë aksionit policor kundër kontrabandës në veri.
Gjuriq e ka quajtur eurodeputeten gjermane si “dashnore të kryeministrit Kurti”, transmeton Express.
“Në vend se të kundërshtojë aksionin e policisë si eurodeputete, Von Cramon kritikoi Josep Borrellin i cili tha se aksioni ishte i njëanshëm. Von Cramon mendon që disa serbë që janë në Kosovë duhet të jenë njerëz të këqinj teksa i dashuri i saj Kurti duhet të jetë i mirë edhe kur ai vret”, ka thënë Gjuriq.
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola von Cramon, i ka reaguar Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, duke thënë se ai duhet të kritikojë shtetet ku nuk po implementohet sundimi i ligjit dhe se aksionet ditore të Policisë nuk i takojnë dialogut.
Borrell, pas aksionit të Policisë së Kosovës sot, që përfshiu edhe veriun e Kosovës së bashku me pjesë të tjera, kishte reaguar në Tëitter duke thënë se incidentet e dhunshme në veri të Kosovës duhet të ndalen. Dhe se veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara që rrezikojnë stabilitetin janë të papranueshme.
“Ju lutem kritikoni shtetet ku sundimi i ligjit nuk implementohet. BE-ja duhet t’i përkrahë shtetet që e luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin. Institucionet shtetërore që kryejnë punën e tyre meritojnë respektin tonë të plotë. Dialogu i ndihmuar nga BE-ja nuk ka të bëjë me operacionet ditore të Policisë”, ka shkruar Von Cramon në Tëitter.
Borrell kishte shkruar se incidentet duhet të ndalen dhe të përqëndrohemi në dialog.
“Incidentet e dhunshme në veri të Kosovës duhet të ndalen menjëherë. Veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara që rrezikojnë stabilitetin janë të papranueshme. Të gjitha çështjet e hapura duhet të adresohen përmes Dialogut të lehtësuar nga BE. Ne jemi në kontakt me Beogradin dhe Prishtinën”, ka shkruar Borrell.
Kjo deklaratë e tij ka nxitur reagime të shumta të shqiptarëve në profilin e Borrellit në Twitter.
Komentues të shumtë e kanë pyetur se përse duhet të dialogohet në Bruksel luftimi i krimit dhe korrupsionit.
Reagim ka pasur madje edhe nga Luan Dalipi shef i stafit të kryeministrit. Dalipi ka kërkuar nga Borrell që të mos e portretizoj dhunën e nxitur nga huliganët serb si problem ndëretnik, shkruan Telegrafi.
“I dashur z.Borrell, faleminderit për shqetësimin tuaj. Është e rëndësishme që të mos portretizohet dhuna fatkeqe e nxitur nga disa huliganë të orkestuar nga Beogradi si një problem ndëretnik midis qytetarëve shqiptarë dhe serbë në Kosovë”, ka shkruar Dalipi./albeu.com/