Në Milanon zikaltër është dita e Marcus Thuram, me sulmuesin francez që pasi pranoi ofertën e Interit, pritet të mbërrijë në qytet për të kryer vizitat mjekëosre dhe hedhur firmën mbi kontratë.
Palët kanë rënë dakord për një kontratë 5-vjeçare me pagë prej 6 milionë eurosh në vit, teksa sulmuesit i është premtuar një rol i rëndësishëm në ekip nga ana e trajnerit Simone Inzaghi.
Por merkatoja zikaltër nuk ndalet këtu, pasi drejtuesit vijojnë punën për të mbyllur sa më shpejt firmën me mesfushorin Davide Frattesi. Akordi mes palëve është arritur dhe te Interi presin shitjen e Brozovic në Arabinë Saudite te Al Nassr, për të investuar parate te mesfushori italian.
Sa i përket sulmit, Inzaghi ka marrë garancinë për rikthimin e Romelu Lukakut, të cilin Chelsea kërkon ta shesë për 40 milionë euro, ndërsa zikaltrit kanë propozuar huazim me detyrim blerjeje për 30 milionë euro verën e ardhshme.
Në mbrojtje vendin e lënë bosh nga SKriniar duket se do ta marrë spanjolli Azpilicueta, i cili do të zbarkojë në Milano në fillim të korrikut, teksa Ausilio e Marotta kanë arritur marrëveshjen edhe me gjermanin Yann Bisseck, i cili pritet të zyrtarizohen pas përfundimit të Europianit U21./ SuperSport