Thellohet skandali i Onkologjikut/ KLSH nuk çoi në prokurori raportin e vitit 2022 me shkelje, ҫfarë pritet të ndodhë

Është thelluar më tej skandali i Onkologjikut dhe mosreagimi i institucioneve, lidhur me pajisjen e kobaltit e cila u la nga viti 2021 jashtë çdo standardi, në ambiente të papërshtatshme pavarësisht rrezikut real të jetës së shumë njerëzve.

Kontrolli i Lartë i Shtetit, kishte bërë një audit në 2022 rreth situatës në këtë spital, ku zbuloi një numër të madh shkeljesh duke hartuar edhe një sërë rekomandimesh.

Onkologjiku sipas KLSH-së, nuk ka patur asnjë të dhënë mbi situatën e kancerit në vend prej më shumë 10 vjetësh.

Në dosjen e Prokurorisë, thuhet ndërkohë se organi i akuzës u vendos në dijeni të këtyre të dhënave përmes një emisioni investigativ, në dhjetor të 2023 dhe prej kësaj kohe i kishte kërkuar raportin KLSH-së, por që nuk ishte dorëzuar apo adresuar në dyert e drejtësisë.

Prokuroria thotë se është detyruar ta sekuestrojë raportin në cilësinë e provës materiale, ku në këtë në të konstatohen problematikat e evidentuara.

Burime pranë organit të akuzës, thonë se do merren në pyetje inspektorët rreth motiveve se pse nuk e kanë kallëzuar shkeljen e rëndë.

Ndërkohë, hetimet lidhur me këtë çështje, pavarësisht se kishte më herët edhe referime të tjera, ka filluar kryesisht nga prokuroria ku pas finalizimit të operacionit të koduar “Rrugëtimi” nën fushën e ilaçeve kontrabandë ku u konstatuan disa barna spitalore, dhe administrimit të disa informacioneve në rrugë operative, u fillua hetimi nga prokurori “kryesisht” mbi një një skemë të dyshuar abuzimi dhe që zgjati disa muaj ku u përdorën metoda speciale hetimi si proaktive ashtu dhe veprime të hapura.

Lidhur me këtë operacion, kujtojmë se vitin e kaluar janë vënë në akuzë 18 shtetas. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, tregtonin medikamente të ndryshme mjekësore të kontrabanduara, nga Greqia, Italia dhe Kosova, të cilat më pas i shisnin në farmaci të ndryshme në Tiranë, Elbasan, Fier, dhe Vlorë, me çmime shumë të larta.

Këtë të enjte, në orën 10 zhvillohet në Gjykatën e Tiranës seanca për vlerësimin e kushteve të masave të sigurisë për 7 persona nga të cilat shumica mjekë, drejtues e staf i Onkologjikut.


Shtuar 27.06.2024 10:05