Thellohet kriza e energjisë, në bursë rekord 709 euro/MWh në bazë, në rrezik furnizimi

Çmimet e energjisë kanë prekur një tjetër nivel të çmendur në Bursën e Hungarisë për datën 26 gusht duke regjistruar në bazë 708.9 euro/MWh dhe në pik 750 euro/MWh niveli më i lartë që nga nisja e krizës vitin e shkuar.

Në fasha orare rekordin e mbajti data 25 gusht ku për orën 20:00 një megavat/orë energji u tregtua rreth 850 euro/MWh. Prej mesit të gushtit çmimet kanë pasur vazhdimisht një tendencë rritëse duke tejkaluar nivelet që njiheshin më herët si kulminante në çmime dhe që ishin data 25 korrik që erdhi si rezultat i deklaratë për kufizimin e gazit rus në Europë dhe më herët në mars që ishte një përshkallëzim i efekteve pas nisjes së luftës Rusi-Ukrainë.

Këto çmime mbeten gjithsesi më të ulëta sesa mesatarja e kësaj jave që është përkufizuar mes 600-750 euro/Mwh.

Kërcimi në këto nivele i çmimit të energjisë në bursa është një sinjal i pastër për situatën e vështirë që pritet të pasojë në vijim dhe burime nga kompanitë e energjisë konfirmojnë se në rrezik mund të vihet edhe furnizimi. Kjo bën sens në kushtet kur flasim për ekonomi të vogla ku bën pjesë edhe Shqipëria. Aktualisht vendi për shkak të çmimeve të larta në bursa ka bazuar furnizimin kryesor në prodhimin e kaskadës rezerva energjetike e të cilës po zbret me shpejtësi. Vetëm pak ditë më parë KESH deklaroi se po prodhohej nga kjo kaskadë rreth 17 mijë/MWh energji që përbën pak a shumë 70 për qind të konsumit ditor. Për shkak të çmimeve të larta KESH anuloi një procedurë blerjeje energjie me një afat 1 javor dhe i është kthyer sërish kërkesave në treg për një periudhë dy ditore me një procedurë të hapur në datë 25 korrik.

Ethet e krizës që sa vijnë dhe po bëhen më të forta kanë shtuar alarmin se nëse situate mbetet e ngjashme rreziku i vërtetë do të pasojë në javët në vijim ku problemi nuk do të jenë më çmimet e papërballueshme por sigurimi i energjisë ku disponueshmëria mbetet e limituar. Aktualisht shpenzimet për blerjen e energjisë kanë tejkaluar shumën e shpenzuar për importet e gjithë vitit të shkuar i cili ishte dhe viti kur nisi kriza e energjisë ndërkohë që mbetet e paqartë sesi do të përballohet në vijim nevoja për importe dhe si do të sigurohen paratë ku deri më tani instrumenti i përdorur ka qenë ai i garancive të dhëna nga shteti për kompanitë e sektorit.

Deri më tani qeveria ka deklaruar se do të vijojë me planin e saj të rishikimit të çmimit për konsumatorët familjarë që konsumojnë më shumë se 800 kwh ku çdo sasi mbi këtë limit do ta paguajnë me çmime tregu dhe paralelisht ka nisur një fushatë ndërgjegjësimi për uljen e konsumit por efektet e këtyre masave mbeten të panjohura./Monitor/

Burimi: Bursa e Hungarisë, përpunime të Monitor