Trupa të pajetë janë parë nga gazetarët e agjencisë së lajmeve AFP në qytetin Buça, pasi trupat ruse u tërhoqën.
Siç raporton AFP, ata kanë parë të paktën 20 trupa të shpërndarë përgjatë një rruge.
Buça, jo shumë larg nga Kievi, është përballur me disa nga luftimet më të rënda në javët e fundit.
Trupat e pajetë duket sikur ishin hedhur nga pjesa e pasme e një kamioni. Raportohet se të gjithë ishin të veshur me rroba civile. Disa prej tyre, me duar të lidhura dhe me plagë plumbash në kokë.
Kryetari i bashkisë tha se pothuajse 300 të vrarë janë varrosur në një varr masiv në Buça.
“Në Buça, ne kemi varrosur tashmë 280 njerëz në varre masive”, tha për AFP-në përmes telefonit kryetari i bashkisë, Anatoli Fedoruk.
Ai tha se rrugët e qytetit të shkatërruar rëndë janë të mbushura me kufoma./REL