Dëshmitë e Orest Ballës dhe Edison Korrës, të arrestuar për përpjekjen për të mashtruar presidentin e FSHF-së, Armand Duka, duke përdorur emrin e deputetit Taulant Balla, kanë nxjerrë në pah versione të ndryshme për përfshirjen e tyre në ngjarje.
Orest Balla, ka deklaruar se ishte kontaktuar në Instagram nga një person që i kishte premtuar 2 mijë euro, në këmbim të sigurimit të një numri telefoni dhe komunikimit me një individ tjetër.
Të lidhura
None found
Balla ka rrëfyer se më pas një person kishte shkuar pranë tij me automjet dhe i kishte dorëzuar numrin e telefonit. Përmes këtij numri, ai kishte komunikuar me djalin e Armand Dukës. Në dëshminë e tij, Balla ka mohuar gjithashtu se e njihte më herët Edison Korrën.
Një version tjetër është dhënë nga Edison Korra. Ai ka pretenduar se ishte kontaktuar nga Balla në një lokal, ku ky i fundit i kishte kërkuar të merrte një porosi.
Mospërputhjet mes deklarimeve të dy të arrestuarve, kanë ngritur pikëpyetje për rolin e secilit në skemën e dyshuar të mashtrimit.
Vetë Orest Balla, nuk ka komunikuar drejtpërdrejt me Armand Dukën. Sipas të dhënave të bëra publike, personi që iu prezantua kreut të FSHF-së, ka përdorur aplikacionin Signal dhe është paraqitur me identitetin e Taulant Ballës.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar se kush fshihet pas këtyre komunikimeve, si edhe nëse dy të arrestuarit ishin në dijeni të plotë për skemën dhe personat e tjerë të përfshirë.
