Tensionet në veri të Kosovës, Vjosa Osmani për: Jetojmë pranë Serbisë që kontrollohet ng Rusia

Presidentja Vjosa Osmani mbrëmë ka folur për BBC Newsnight rreth situatës së tensionuar në veri të vendit, ngjarje që tërhoqi vëmendjen edhe të mediave ndërkombëtare që ngritën pyetje për përshkallëzim të mundshëm të dhunës.

Këtyre pyetjeve iu përgjigj Osmani, e cila tha se Kosova s’është asnjëherë ajo rrit tensionet, por se kjo bëhet nga Serbia e mbështetur nga Rusia. Megjithatë, presidentja u zotua se një qëllim i tillë serb s’do të lejohet në Kosovë.

A mundet Kosova të bëhet një viktimë e luftës në Ukrainë, pyeti moderatorja e BBC.

“Pra, Serbia dhe Rusia janë të interesuara për të rikthyer tensionet në rajonin tonë. Në nuk do ta lejojmë këtë. Së pari, ne nuk do të biem pre e këtyre provokimeve. Së dyti, ne kurrë nuk do t’i nxisim këto provokime. Dhe së treti, ne do të punojmë së bashku me partnerët tonë që të sigurohemi se një skenar i tillë të mos ndodhë në Kosovë”, u përgjigj Osmani.

Për publikun ndërkombëtar, Presidentja Osmani foli edhe për situatën aktuale.

“Tensionet po përshkallëzohen. Megjithatë, ka pasë përgatitje nga Serbia, e ndihmuar dhe nxitur nga Rusia për një kohë të gjatë, për të tentuar përshkallëzimin e Ballkanit Perëndimor në përgjithësi dhe në Kosovë në veçanti. Në dekadën e fundit që Vuçiq ka drejtuar Serbinë, por veçanërisht në muajt e fundit ku ata vazhduan t’i mbështesin strukturat ilegale në veri të Kosovës të cilat përbëhen nga bandat kriminale. Nëpërmjet tyre dhe duke i manipuluar, ata janë duke mbajtur pakicën serbe që jeton në Kosovë peng të politikave të gabuara” .

Osmani tha se nuk është gjuha e udhëheqësve kosovarë në drejtim të atyre serbë që po sjell tensione, por veprimet e tyre.

“Kosova kurrë s’ka kontribuar dhe nuk do të kontribuojë në përshkallëzim apo dhunë. Por, ne duhet të kuptojmë se jetojmë afër një fqinji që kontrollohet plotësisht nga Rusia. Ata po luftojnë mënyrën tonë demokratike të jetës, kjo është një luftë kundër vlerave në të cilat jetojmë çdo ditë dhe të cilat qëndrojnë në themelet e shtetit tonë të pavarur. Nuk janë akuzat tona që po përshkallëzojnë tensionet. Janë veprimet e tyre që po përshkallëzojnë situatën dhe po krijojnë tensione. Pra, praktikisht, nëse themi të vërtetën për synimet e Rusisë dhe Serbisë, kjo nuk do të ndikojë negativisht”.

Presidentja e Kosovës tha se akomodimi i regjimeve si të Rusisë dhe Serbisë nuk është rruga e duhur, derisa mesazhi saj për presidentin rus Putin ishte se ai do të dështojë në Ukrainë dhe do të dështojë absolutisht në Ballkan në përpjekjet për destabilizim.

Po ashtu, Osmani në BBC tha se institucionet e Kosovës po punojnë që edhe qytetarët serbë të ndihen të barabartë dhe të integruar në shoqëri dhe institucione. /Gazeta Express/


Shtuar 2.08.2022 13:49