Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, është shprehur se organizata do të dërgojë forcat e veta në rast të një përshkallëzimi të situatës në Veri të Kosovës.
Komentet Stoltenberg i bëri duke folur për situatën e tensionuar në veri më 31 korrik, ku ka thënë se KFOR-i në Kosovë ka rol neutral, por sipas tij, janë në gjendje të dërgojnë forca shtesë dhe të mendojnë se është e nevojshme.
Teksa ishte në një konferencë të përbashkët me presidentin serb Vuçiç, ai është shprehur se qëllimi i KFOR-it është të ulë tensionet.
“Nëse ka nevojë ne do të dërgojmë forca shtesë dhe do të intervenojmë aty ku nevojitet dhe do të veprojmë në mënyrë proporcionale. Qëllimi ynë është të ulim tensionet.
Roli i NATO-s në Kosovë është i bazuar në mandatin e OKB-së, që do të thotë se roli ynë është neutral dhe angazhohemi për sigurinë e të gjithë komuniteteve. Ne përkrahim dialogun politik të ndërmjetësuar nga BE-ja. Ne nuk do të përfshihemi dhe do të mbajmë rolin neutral”, tha Stoltenberg.
I pyetur nëse ushtria serbe ka kaluar vijën administrative të kufirit me Kosovën, Vuçiç tha se kjo s’ka ndodhur dhe s’do të ndodhë.
“Ushtria e Serbisë nuk e kanë kaluar vijën administrative, s’ka ndodhur dhe s’do të ndodhë që të ketë sulm nga ushtria serbe, Serbia ushtarakisht është shtet neutral dhe dëshiron të mbajë paqen”, ka thënë Vuçiç.