Tensionet në Kuvend, Grupi Parlamentar i PD-së kërkon shkarkimin e Lindita Nikollës

Pas tensioneve të shumta me të cilat u shoqërua seanca e sotme parlamentare dhe mosmenaxhimit të situatës nga kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, bazuar në pikën 4, të nenit 114 të Rregullores, ka vendosur të nis procedurën për shkarkimin e saj.

Në njoftimin e Grupit Parlamentar thuhet se veprimi i Nikollës ditën e sotme  është akt i paprecedent në 32 vjet demokraci.

Demokratët akuzojnë Nikollën se i mohoi të drejtën deputetëve të Kuvendit që të diskutojnë për çështjet e përfshira në Rendin e Ditës, duke përdhosur parlamentarizmin dhe duke minuar funksionimin demokratik të Kuvendit.

NJOFTIM I GRUPIT PARLAMENTAR TË PARTISË DEMOKRATIKE

Sot Edi Rama, i kapur në flagrancë nga drejtësia amerikane se ka korruptuar dhe bashkëpunuar me një angjent të FBI të lidhur me Rusinë, jo vetëm iu fsheh Kuvendit, por detyroi Lindita Nikollën të mbyllë Parlamentin.

Veprimi i sotëm i Kryetarës së Kuvendit, është akt i paprecedent në 32 vjet demokraci. Në shkelje flagrante të Rregullores, Kryetarja e Kuvendit i mohoi të drejtën deputetëve të Kuvendit që të diskutojnë për çështjet e përfshira në Rendin e Ditës, duke përdhosur parlamentarizmin dhe duke minuar funksionimin demokratik të Kuvendit.

Ndërsa drejtësia amerikani asgjesoi politikisht Edi Ramën, duke faktuar para botës mbarë, lidhjen e tij korruptive me një zyrtar të FBI-së, të lidhur me Rusinë, Kryetarja e Kuvendit asgjësoi Parlamentin për llogari të Edi Ramës.

Gjithashtu, nga sot Parlamenti i Shqipërisë ka humbur mundësinë për të funksionuar në mënyrë demokratike dhe përgjegjës për këtë janë vetëm Edi Rama dhe Lindita Nikolla.

Për shkak të shkeljes flagrante të Rregullores, minimit të parlamentarizmit dhe funksionimit demokratik të Kuvendit, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, bazuar në pikën 4, të nenit 114 të Rregullores, ka vendosur të nis procedurën për shkarkimin e Kryetares së Kuvendit znj. Lindita Nikolla./Albeu.com/