Përpjekjet për të zbutur tensionet përgjatë kufirit Rusi-Ukrainë po vazhdojnë të enjten në Vjenë me një takim të Këshillit të Përhershëm të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
Seanca pason një takim dypalësh mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara në Gjenevë të hënën dhe bisedimeve mes Rusisë dhe NATO-s të mërkurën në Bruksel.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price u tha gazetarëve se pas takimit të së enjtes, palët do të reflektojnë mbi bisedimet dhe “të përcaktojnë hapat e ardhshëm të duhur.”
Zoti Price tha të mërkurën se Shtetet e Bashkuara presin që delegacionet ruse në tre grupet e takimeve “t’i raportojnë Presidentit [rus] [Vladimir] Putin dhe ne të gjithë shpresojmë që ai të zgjedhë paqen dhe sigurinë. Ne jemi të sinqertë dhe të vendosur kur themi se preferojmë rrugën e diplomacisë dhe dialogut.”
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj në NATO-s i kanë kërkuar Rusisë të ulë tensionet dhe që situata të zgjidhet në rrugë diplomatike, dhe të mërkurën ofruan propozime për hapa reciproke për të pakësuar rreziqet, për të përmirësuar transparencën dhe komunikimin, si edhe kontrollin e armëve.
Zëvendës Sekretarja amerikane e Shtetit Wendy Sherman, që drejtoi delegacionin amerikan në Bruksel, tha në një konferencë për shtyp se takimi NATO-Rusi përfundoi me “një kërkesë të qartë” ndaj Moskës për të ulur tensionet dhe “për të zgjedhur rrugën e diplomacisë, për të vazhduar të angazhohet në dialog të sinqertë dhe reciprok, në mënyrë që së bashku të mund të identifikojmë zgjidhje që përmirësojnë sigurinë për të gjithë”.
Pas takimit që zgjati afro katër orë të mërkurën, zonja Sherman tha, “se as nuk pati angazhim për të ulur tensionet, por as ndonjë deklaratë se që nuk do të kishte një angazhim të tillë.”
Ajo shtoi se Rusisë iu bë e qartë se është shumë e vështirë që të veprojë diplomacia kur ka 100,000 trupa të saj pranë kufirit ukrainas.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se ai ka propozuar idenë për një sërë takimesh me Rusinë, e cila kërkoi kohë për të kthyer një përgjigje.
“Aleatët e NATO-s janë të gatshëm të angazhohen në dialog me Rusinë, por ne nuk do të bëjmë kompromis mbi parimet themelore, ne nuk do të bëjmë kompromis për sovranitetin dhe integritetin territorial të asnjë vendi në Evropë,” u tha zoti Stoltenberg gazetarëve në Bruksel.
Rusia ka kërkuar garanci sigurie si tërheqja e trupave dhe pajisjeve ushtarake të NATO-s nga vendet në kufi me Rusinë dhe kufizime në zgjerimin e aleancës së NATO-s. Ajo gjithashtu ka mohuar të ketë plane për të pushtuar Ukrainën./VOA