Pas vendimit të Lulzim Bashës për të dëbuar Sali Berishën nga Partia Demokratike, “selia blu” është pushtuar nga tensione të forta.
Nga njëra anë janë përkrahësit e Berishës dhe nga ana tjetër përkrahësit e Bashës të cilët nuk lëvizin nga qëndrimet e tyre.
Ditën e sotme është zhvilluar takimi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike ku deputeti Flamur Noka ka bërë diskutime të ashpra me Lulzim Bashën duke i kërkuar llogari për vendimin e marrë.
Fill pas daljes, Noka është konfliktuar edhe me prurjen e Bashës në PD, deputetin Ervin Salianji.
Ky i fundit e ka provokuar debatin ku ka thënë se PD duhet të shkojë drejt perëndimit dhe se ai si deputet i ri është garanci për luftën ndaj Ramës deri në rrëzim,
Qëndrimin pro largimit të Berishës i Salianjit, siç duket ka irrituar edhe më shumë ligjvënësin demokrat i cili tentoi të përplaset fizikisht.
Gazeta DRITA ka mësuar disa detaje edhe nga diskutimi mes Flamur Nokës dhe kryetarit të PD, Basha.
Noka mësohet se i ka kërkuar që t’i jepet një herë zgjidhje çështjes Berisha, e më pas të krijohet agjenda për komisionet apo aksionin parlamentar të PD.
Basha është shprehur se ky vendim është më i vështiri qe ai ka marrë. Ai ka theksuar se vendimin për Berishën nuk ia ka lënë strukturave të PD, pasi nuk do që partia të përçahet. Sipas Bashës, ky vendim është në interes të demokratëve dhe nuk do të lejojë të ketë grupe kundër amerikanëve në PD.
Noka është një prej deputetëve të PD që ka kundërshtuar vendimin e Bashës për përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar.
Më poshtë disa fotografi nga vijimi i debatit gjatë daljes nga salla e mbledhjeve./albeu.com