Në 1 janar duhet të kishte nisur prodhimi i energjisë elektrike nga dy termocentralet lundruese në Vlorë, por anijet që i kushtuan Shqipërisë 336 milionë euro, nuk kanë prodhuar ende asnjë megavatorë energji elektrike. Ministrja e energjisë Belinda Balluku thotë se mjetet janë gati për t’u vënë në punë, por ndezja e gjeneratorëve do të bëhet kur të jetë e nevojshme. Një verfikim i Faktoje tregon se asetet gjeneruese nuk janë gati për t’u vënë në punë pasi nuk janë licensuar nga Enti Rregullator i Energjisë.
Nga Esmeralda Topi
“Në 1 janar ne fillojmë me shtimin e kapaciteteve me 114 megavatorë që janë dy anijet prodhuese të energjisë elektrike.”- deklaronte më 16 shtator të 2022 ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, duke iu referuar vënies në punë të dy teceve lundruese të prodhimit të energjisë në Triportin e Vlorës.
Me afrimin e viti 2023, Balluku i doli ‘të keqes’ përpara kur tha se anijet do të futeshin në prodhim gjatë muajve janar-shkurt.
“Ne do të vazhdojmë gjatë muajit Janar dhe gjatë muajit Shkurt të fusim në prodhim dy anijet prodhuese të energjisë elektrike që tashmë ndodhen të stacionuara në Triport.” – tha Balluku më 13 dhjetor.
Dy termocentralet lundruese janë marrë me qira për një periudhë dy-vjeçare nga Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) kundrejt një fature të kripur prej 336 milionw euro. Qëllimi kryesor i ardhjes së dy anijeve në brigjet e detit Jon ishte përmbushja e nevojës së vendit për energji, në kushtet e një krizë energjitike globale. Por edhe pse kanë thuajse katër muaj të ankoruara në Triportin e Vlorës, dy termocentralet lundruese nuk janë vënë në punë.
“Ne tashmë kemi dy njësi gjeneruese të cilat janë gati për prodhim, por duke qenë se kaskada sot është në parametra optimalë, nuk është momenti për t’i ndezur. Por sigurisht do të fillojnë të përdoren në momentin më të parë që ne do të kemi nevojë.” – argumentoi Balluku teksa bëri bilancin e vitit që lamë pas dhe objektivat e këtij viti.
Por një verifikim i Faktoje tregon se anijet nuk janë gati për t’i ndezur gjeneratorët, pasi Enti Rregullator i Energjisë ende nuk ka licensuar KESH-in për prodhimin e energjisë nga tecet lundruese. Sipas një vendimi të datës 28 dhjetor 2022, bordi i ERE-s ka nisur procedurën e lincensimit, por ende nuk e ka finalizuar atë për shkak të disa mungesave në dokumentacion që KESH duhet të depozitojë pranë rregullatorit.
Screenshot nga vendimi nr 350, Datë 28.12.2022
Fotografia më lart, e shkrepur gati dy javë më parë në Vlorë tregon momentin e transportimit të Transformatorit 250 MWA, i cili do shërbejë për të vënë në punë gjeneratorët e anijeve.
“Balluku nuk ka thënë të vërtën, kur thotë që ne nuk i kemi vënë në punë sepse kemi kaskadën në nivele optimale. Vërtetë kaskada është në nivele optimale, por s’janë vënë në punë, sepse përpara dy ditëve ka mbaruar thellimi dhe gjeneratorët akoma i ka në Triport. Gjeneratorët nuk janë në punë, sepse nuk janë lidhur dhe që të vihet në punë duhen katër muaj.”- argumenton për Faktoje, inxhinier Klodian Gradeci që më herët ka drejtuar ndërmarrje të rëndësishme të sektorit energjitik në vend.
Por ky nuk është i vetmi problem. Ekspertët ngrenë si shqetësim parësor koston e prodhimit të energjisë nga anijet, që sipas tyre e bën të paleverdisshme ndezjen e gjeneratorëve me mazut.
“Çmimi i Mazutit në bursë është rreth 1.2 Euro dhe 1 megavat energji kërkon rreth 1.6 barrela me Mazut ose rreth 250 Litra. Të dyja anijet do prodhojnë mesatarisht 100MWh te cilat do konsumojne 100MWh x (250 L/M x1.2 Euro) x 24h x 330 ditë = 237.600.000 Euro. Pra, çmimi për lëndën e parë shkon 300 Euro për 1MWh energji. Nëse llogarit kostot e mirëmbajtjes, operimit dhe ato të qirasë, çmimi shkon mbi 350Euro/MWh.” – thekson Gradeci, duke propozuar si zgjidhje me leverdi ekonomike gazifikimin e Tecit të Vlorës.
“Jo më larg se dje, çmimi i energjisë elektrike në Bursën Hungareze ishte diku tek 179 euro. Është një çmim i favorshëm krahasuar me çmimin që duan këto asete gjeneruese për prodhimin e 1 megavatorë energjie. Kosto shkon nga 200 – 220 euro për megavat, pa përfshirë çmimin e mazutit që duhet si lëndë e parë për këto anije. Pra këto dy tece lundruese në momentin që do të jenë në punë, nga ana ekonomike nuk na leverdisin.” – pohon Azmer Duleviç, ekspert në fushën e energjisë.
Cfarë thotë KESH?
Në një përgjigje për Faktoje, Korporata Elektroenergjitike Shqiptare pohon se planifikon të nisë në fund të muajit shkurt një fazë testimi.
“Në aspektin ndërtimor aktualisht janë duke u përfunduar punimet civile të lidhjes me tokën të aseteve termike. Punimet elektrike dhe të konektivitetit me rrjetin e transmetimit janë në përfundim me montimin e transformatorit ngritës 220 KV.”- sqaron KESH, duke shtuar se prodhimi nga ky aset do të diktohet nga nevoja për konsum./faktoje