Të zhdukur prej 26 ditësh, të afërmit e Fatmir Sulovarit dhe Leonard Theodhorit protestë para Policisë së Shtetit

Të afërmit e dy të zhdukurve nga Saranda, Fatmir Sulovari dhe Leonard Theodhori, kanë ardhur sot në Tiranë për të protestuar para policisë së shtetit.

Një përfaqësi prej tyre u thirr në takim me Drejtorin e Përgjithshëm, Muhamet Rrumbullaku. Leonard Theodhori dhe Fatmir Sulovari janë dy 46-vjeçarët që rezultojnë të zhdukur që prej 26 ditësh.

Dyshohet se dy të zhdukurit janë ekzekutuar dhe trupat e tyre mund të ndodhen në territor të Bashkisë Konsipol.

Paraprakisht mendohet se dy të zhdukurit i kanë njohur rrëmbyesit, pasi në disa pamje filmike të lëvizjes së mjetit te tyre, dallohet Fatmir Sulovari teksa ndodhet i ulur në sediljen e parë duke mbajtur dorën në tavan, por në gjendje normale.

HETIMET

Leonard Thodhori i njohur si “Koçole” dhe Fatmir Sulovari alias Fatmir Krasniqi, janë dy personazhe të njohur për policinë në Sarandë. Ata rezultojnë të dy me precedentë të shumëfishtë penalë, të proceduar dhe dënuar disa herë për vepra te ndryshme penale.

Policia ka fokusuar hetimet tek këqyrja e kamerave të sigurisë, tabulatet telefonike të dy të zhdukurve ndërkohë që dje janë marrë në pyetje edhe familjarë e shokë te dy 46-vjeçarëve.

Burime konfidenciale bëjnë me dije se ka informacione në rrugë operative edhe për veprimtarinë e të zhdukurve, ndërkohë që nuk përjashtohet mundësia të ndodhemi edhe para një ngjarje të rëndë kriminale.

Kush janë të zhdukurit:

1.Leonard Theodhori, 46 vjec i njohur si “Koçole”. I dënuar disa here. I dyshuar si pjesëmarrës në Masakrën e Qafë-Gjashtës në vitin 1997 ku u vra oficeri i policisë Gjergj Mehmeti.
Në vitin 2003 ka qenë prezent ne automjetin që drejtohej nga Andrea Gjini para se ky i fundit të vriste biznesmenin Jaho Bajo. I arrestuar po atë vit për “moskallezim krimi” lidhur me një ngjarje tjetër të kryer nga Gjini. I arrestuar më pas per “vjedhje” e “mashtrim”. Përdorues i lëndëve narkotike dhe i dyshuar si i perfshirë në trafik lëndësh narkotike.

2.Fatmir Sulovari alias Fatmir Krasniqi, 46 vjec. I dënuar më parë për “armëmbajtje pa leje” dhe “plagosja e lehtë me dashje”. I arrestuar ne prill 2022 ne Lushnje, pasi ne mjetin e tij “BMË” X5 u gjet nje sasi cannabis sativa e ndarë në doza gati për shitje./albeu.com/


Shtuar 2.05.2023 10:24