Në një kohë kur pandemia e koronavirusit ka krijuar shqetësime të thella lidhur me pabarazinë në shpërndarjen e vaksinave, udhëheqësit e 20 vendeve më të pasura të botës do të takohen në fund të kësaj jave për të diskutuar se si mund ta trajtojnë këtë problem.
Takimi i nivelit të lartë niset të shtunën në Romë dhe shqetësimet lidhur me pandeminë ka të ngjarë të mbizotërojnë në takimin e parë mes udhëheqësve të G-20-ës që nga viti 2019.
Presidenti Joe Biden thotë se Shtetet e Bashkuara janë “arsenali i vaksinave në botë”. Numri i vaksinave të premtuara për t’u dhuruar nga SHBA-ja arrin në 1.1 miliardë të tilla, duke lënë pas në këtë drejtim shumë vende të tjera.
Megjithatë edhe kjo sasi nuk është e mjaftueshme thonë aktivistët që veprojnë në fushën e shëndetit publik.
Në realitet vetëm një pjesë e sasisë së vaksinave të premtuara janë dorëzuar dhe sipas një studimi të ri të kompanisë analitike shkencore “Airfinity”, vendet e G-20 kanë marrë 15 herë më shumë doza të vaksinës kundër COVID-19 për frymë, krahasuar me vendet e Afrikën Nënsahariane.
Udhëheqësit botërorë janë treguar të gatshëm të bëjnë më shumë së bashku. Në shtator ministrat e G-20s nënshkruan njëzëri atë që u quajt “Pakti i Romës”, i cili rikonfirmon objektivin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për të vaksinuar 40 për qind të popullsisë globale, deri në vitin 2021.
Por kritikët vunë menjëherë në dukje se në dokument nuk parashikohet asnjë angazhim specifik. Aktivistët dhe grupet e ndihmës u kanë bërë thirrje vendeve të G-20-ës që të bëjnë premtime të prekshme, të përshpejtojnë dorëzimin e vaksinave si dhe të jenë më shumë bujarë duke ofruar edhe teknologjinë e mjetet e nevojshme për injektimin e vaksinave.
Ekspertët argumentojnë se ky nuk është vetëm një problem për ata që nuk kanë vaksina, por një problem që dëmton të gjithë.
“Pabarazia lidhur me vaksinat nuk po frenon vetëm vendet më të varfra, por mbarë botën”, tha drejtoresha ekzekutive e UNICEF-it Henrietta Fore. “Ndërsa udhëheqësit takohen për të përcaktuar prioritetet për fazën tjetër të përgjigjes ndaj COVID-19s, është jetike që ata të kenë parasysh se në garën e vaksinave, ne ose fitojmë të gjithë, ose humbim të gjithë”./VOA