EMRAT/ Të përfshirë në grupe kriminale e skema mashtrimi, arrestohen me qëllim ekstradimi 2 shqiptarët në Gjermani

Janë ekstraduar drejt vendit tonë dy shqiptarë të arrestuar në Gjermani, të cilët rezultonin në kërkim ndërkombëtar.

Nga specialistët e Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Frankfurti, Gjermani, drejt vendit tonë, i shtetasit Petrit Sulejmani, 49 vjeç, banues në Patos, Fier.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana, pasi Gjykata për Krimet e Rënda Tiranë, në vitin 2018, i ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.

Petrit Sulejmani dyshohet si pjesëmarrës në grupin e strukturuar kriminal që ka vepruar së bashku me persona të tjerë në episodin e trafikimit të 2 ton lëndë narkotike cannabis sativa, më datë 08.02.2017, nga Shqipëria në Itali, si dhe i përfshirë në episode të tjera të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve.

Gjithashtu u ekstradua shtetasi Klodjan Zanaj, 39 vjeç, banues në Vlorë.

Shtetasi Klodjan Zanaj ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin gjyqësor në vitin 2019, e ka dënuar me 1 vit e 6 muaj burg, për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi”. Ky shtetas, në periudhën kohore 2016-2017, më anë të mashtrimit ka mundësuar përfitimin e një shume të konsiderueshme parash, në dëm të shtetases J. L., me banim në Tiranë.

Shtuar 12.07.2021 08:37