Kush regjistrohet me logon e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 14 Majit, PD-ja e kryesuar nga Berisha apo nga grupi i drejtuar nga Alibeaj? Kjo është një ndër pyetjet që është ngritur sot pas deklaratës së dështimit të negociatave në Partinë Demokratike për daljen me një kandidat të përbashkët në zgjedhjet e 14 Majit.
Kjo pyetje i është drejtuar Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve nga stafi i emisionit “Opinion” në Tv Klan, pyetje të cilës KQZ i është përgjigjur si më poshtë:
“Partia që kërkon të regjistrohet si subjekt zgjedhor në KQZ ka detyrim të paraqesë në këtë institucion krahas të tjerave një vërtetim nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Sipas ligjit për partitë politike, është kjo gjykatë e cila mban regjistrin e partive politike. Ky regjistër, sipas këtij ligji përmban krahas të tjerave numrin rendror të regjistrimit, emrin e plotë të partisë, inicialet e partisë, stemën e partisë, emrin e kryetarit të partisë. Këto element i përmban dhe duhet t’i përmbajë vërtetimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë i cili depozitohet në KQZ kur kërkohet që të bëhet regjistrimi i partisë si subjekt.”