‘Të gjithë po mblidhen atje, erdha nga jashtë’. Ç’po ndodh në panair?

Panairi i Librit “Tirana 2021”, në edicionin e tij të parë hapi siparet më datë 17 Nëntor për të vijuar deri më datë 21, ku frekuentuesit e tij do të kenë mundësinë të lundrojnë mes botimeve më në zë, nga letërsia shqiptare në atë të huaj, nga klasikët e deri të veprat e shkrimtarëve bashkëkohor. ‘Abc e Pasdites’ mundësoi një panoramim të ditëve të para të kësaj “feste të librit”, duke zbuluar botimet e reja nga shtëpitë botuese “Albas”, “Pegi” si edhe “Ombra GVG”.

“Megjithëse vitin e kaluar panairi nuk u zhvilluar veçse online, ne na mungoj mbi të gjitha kontakti me lexuesin. Jam shumë e lumtur të them që këtë vit kemi sjellë 40 tituj të rinj.” – shprehu Rita Petro për Abc News Albania.

Ndërkohë Aida Baro nga shtëpia botuese Pegi shprehu se synimi është jo vetëm për të nxjerrë disa tituj në shitje, por përtë përzgjedh vepra të cilat kultivojnë shije të mirë por dhe e shtyjnë qytetarin drejt artit dhe kulturës.

Përfaqësueset e shtëpive botuese shprehën se në ditët e para nuk panë një numër të madh njerëzish, por kanë shpresë se fundjava do i sjellë një ritëm më të lartë. Nga ana tjetër, për to është kënaqësi rikthimi në Pallatin e Kongreseve ku ky panair është mbajtur historikisht, pas organizimit të vitit 2020 që ishte online.

“Është kënaqësi t’i drejtohesh me një libër dikujt, mjafton të jetë libër. Ai është vërtetë miku më i mirë dhe një magji.” – shprehu Vasilika Tafa nga “Ombra GVG”.

Edhe pjesëmarrësit në panair shprehen të kënaqur, duke vlerësuar gamë e gjerë të botimeve të reja por edhe të çmimeve konkurese. Një qytetar shpreh se ka ardhur në Shqipëri vetëm një muaj më parë pas jetën e ka ndërtuar tashmë në Amerikë dhe hapja e panairit e gëzoi pasi tashmë mund të zgjeroj bibliotekën e tij përtej oqeanit me botime në gjuhën shqipe.

Panairi i librit “Tirana 2021”, do të jetë i hapur deri ditën e dielë më datë 21 Nëntor, për këdo duke respektuar masat e nevojshme anti-covid.

 


Shtuar 19.11.2021 17:50