Pikërisht në zemër të verës, kur strukturat akomoduese, plazhet dhe hotelet janë të mbushura plot me turistë, Task Forca e Tatimeve ka nisur një sërë kontrollesh në zonat bregdetare. Në vend të një periudhe më të qetë, inspektorët kanë zgjedhur ditët me fluksin më të lartë të pushuesve për të zhvilluar verifikimet e tyre.
Në terren janë dislokuar edhe gjatë ditëve të pushimit inspektorët Besnik Dalliu, Elton Ndoci dhe Andi Hajdari, të autorizuar për të inspektuar njësitë tregtare që operojnë në sektorin e turizmit.
Të lidhura
None found
Mirëpo, a përkon kjo kohë me frymën e mbështetjes ndaj biznesit? Sipas denoncimeve të vetë sipërmarrësve, edhe në ato raste kur i gjithë dokumentacioni figuron në përputhje me rregullat, atyre u janë konfiskuar pajisjet kompjuterike. Ky veprim i ka hequr mundësinë për të kryer procesin bazë të punës: emetimin e faturave dhe regjistrimin e shitjeve. Pasojat ekonomike në këto ditë kyçe janë të konsiderueshme dhe bizneset ngrenë shqetësimin se kush do të mbajë përgjegjësi për këto dëme.
Kjo situatë bie ndesh me tonin e deklaratave të mëparshme të Kryeministrit, i cili ka insistuar se administrata tatimore duhet të sillet si partnere, jo si “bandë” ndaj sipërmarrjes. Në këtë kontekst, lind natyrshëm pyetja nëse kontrollet e befasishme në kulm të sezonit turistik përputhen me këtë filozofi. Përballë veprimeve që, sipas pretendimeve, paralizojnë aktivitetin në momentet më prodhuese të vitit, ekziston rreziku i prekshëm që goditet vetë turizmi, duke dërguar një mesazh dekurajues në vend se të luftohet evazioni fiskal.
