“Talebanët më vranë gruan”, një burrë afgan tregon tmerrin mes lotëve: Unë dhe fëmijët u plagosëm

Me dokumentet e gjakosura që mbante në duar, një burrë në Kabul u shpreh për mediat se gruaja e tij ishte qëlluar dhe vrarë, ndërsa po përpiqeshin të largoheshin nga vendi.

“Unë shkova në aeroport me gruan dhe vëllain tim, së bashku me dy famijët tanë. Ne morëm të gjitha dokumentet tona me vete… Ata qëlluan mbi njerëzit. Fëmijët e mi dhe unë u plagosëm. Ata qëlluan gruan time. Unë kam mbetur tani me dy fëmijë jetim, çfarë duhet të bëj tani”, tha ai, duke shpërthyer në lot.

Kjo është ajo çfarë shumë qytetarë shprehen gjatë këtyre ditëve për mediat, që kur talebanët rimorën pushtetin në Afganistan.

Shumë qytetarë afgan shprehen se grupi islamik nuk ka ndryshuar fare që kur ishte në pushtet për herë të fundit, ndërsa të tjerët ia hedhin fajin presidentit Ashraf Ghani, i cili u largua nga vendi.

“Ne nuk shohim ndonjë të ardhme të ndritur për motrat dhe nënat tona”, tha një banor vendas.

“Talebanët janë ata që ishin edhe më parë. Muxhahidët janë të njëjtët muxhahedinë. Të njëjtët talebanë sapo u rikthyen. Asgjë s’ka për të ndryshuar kurrë”.

Shumë pak gra janë parë në rrugët e qytetit që kur talebanët morën kontrollin, thonë banorët.

Në regjimin e mëparshëm taleban, nga vitet 1996 deri në 2001, gratë nuk lejoheshin të punonin ose të shkonin në shkollë.

“Unë jam shumë e re për të kujtuar se si ishte 25 vjet më parë, por kur dëgjova nga nëna ime, e di që gratë nuk lejoheshin të dilnin jashtë ose të bënin Pazar. Gratë ishin skllave që duhej të bënin punët e shtëpisë”, tha një grua e re.

“Unë as nuk mund ta imagjinoj se si do të jetë e ardhmja. Pasi ata morën kontrollin, unë nuk kam dalë nga shtëpia për tre ditë. Unë jam e frikësuar të dal nga shtëpia e ime”.

Një grua tjetër deklaroi për mediat se ishte e zemëruar për largimin e udhëheqësve të mëparshëm nga vendi.

“Unë kurrë nuk e kam menduar se kjo do të ndodhte. Unë i pështyj ata tradhtarë. Ata i kanë shitur forcat e sigurisë dhe janë larguar nga vendi. Ne nuk do i falim kurrë”, tha ajo.

Militantët talebanë premtuan se do të mbronin vendin dhe se tradhtarët tani ishin larguar.

“Mos e braktisni vendin tuaj. Afganistani është atdheu juaj. Ky është atdheu ynë dhe bijtë e tij të vërtetë janë kthyer përsëri”, u shpreh një luftëtar taleban.

“Ne ju premtojmë se do të formohet një qeveri që ndjek rregullat islame”, shtoi ai./ Panorama

 

 


Shtuar 21.08.2021 22:43