Pas takimit me ministrin e Jashtëm grek Nikos Dendias, ambasadorja shqiptare në Athinë Luela Hajdaraga është shprehur se diskutimi u zhvillua në disa çështje, mes të cilave për shqiptarët që jetojnë në vendin fqinj dhe procedurat e pajisjes me dokumente.
“Gjatë një takimi të frytshëm, të dytin në radhë, Ambasadorja Hajdaraga zhvilloi sot një bisedim konstruktiv me Ministrin e Jashtëm Grek, z. Dendias.
Bashkëbiseduesit diskutuan mbi marrëdhëniet dypalëshe, luftën e përbashkët kundër Covid-19, hapjen graduale të kufijve, si dhe çeljen e procedurave për bashkimet familjare, një çështje që ka mbajtur të ndarë familjet për një periudhë kohore të gjatë.
Greqia është vendi ynë mik me të cilin kemi sfida të përbashkëta në bashkëpunimin rajonal dhe në kuadër të integrimit europian ku siç dihet do të kemi mbështetjen pa rezerva të Athinës në këtë proces” mbyllet postimi i ambasadës shqiptare.
Ndërkohë që Nikos Dendias u shpreh se “Ne biseduam për bashkëpunimin dypalësh, si dhe zhvillimet rajonale”.