Koordinatorja e Diasporës në PD, Jozefina Topalli, gjatë një takimi në Milano, u shpreh se shqiptarët jashtë vendit do të luajnë një rol kyç në rotacionin politik dhe ndryshimin e së ardhmes së Shqipërisë.
“Sot jemi fizikisht në Milano, por zemrat tona janë në Shqipëri, në vendlindjen që nuk e keni lënë asnjëherë pas,” u shpreh Topalli. Ajo ndau historinë e një të riu që ishte larguar nga Shqipëria në moshën 16-vjeçare, duke kujtuar lotët dhe bekimin e nënës së tij, si dhe sfidat e mëdha për t’u integruar jashtë vendit.
“Sot ai ka ndërtuar një familje dhe një jetë të suksesshme, ashtu si shumë të tjerë që dikur u larguan me anije nga Durrësi, Vlora dhe Shëngjini,” shtoi ajo.
Duke theksuar rëndësinë e diasporës, Topalli shprehu bindjen se shqiptarët jashtë vendit do të jenë vendimtarë në ndryshimin e Shqipërisë, për ta bërë atë më të drejtë, më të zhvilluar dhe një vend për të cilin të gjithë të ndihen krenarë.