Ish-supermodelja Linda Evangelista ka rrëfyer se mbeti “e deformuar në mënyrë të përhershme” nga një reaksion trupor gjatë ndërhyrjes së reduktimit të dhjamit.
56-vjeçarja tregoi sesi pësoi një afekt të rrallë anësor të trajtimit të kryer pesë vjet më parë, që në vende të reduktonte, zmadhoi qelizat e saj të dhjamit.
“Kam mbetur, ashtu siç e thotë dhe media ‘me fytyrë tjetër’,” tha ajo për gati 1 milionë ndjekësit në rrjetet sociale.
Evangelista shpjegon se kjo është dhe arsyeja që është larguar nga syri i publikut.
Modelja kanadeze shpjegonte më tej se kishte kryer më pas “dy ndërhyrje korrektuese, të dhimbshme e të pasuksesshme”, pasi procedura fillestare e dobësimit artificial, e njohur ndryshe si ‘body contouring’ – pati efekt të kundërt.
“Për ndjekësit e mi që kërkonin të dinin përse nuk kam punuar si koleget e mia, arsyeja është se jam shpërfytyruar brutalisht nga një procedurë që bëri të kundërtën e asaj që premtonte”, tha Evangelista.
Ajo shtonte se procedura “kishte bërë që jo vetëm të mos punonte më, por e kishte futur në një cikël depresioni dhe vetë-urrejtjeje”.
Procedura jo-kirurgjike është bërë e njohur vitet e fundit dhe përdor temperatura të ftohta për të reduktuar depozitat dhjamore në disa zona të trupit.
Evangelista tregonte se “kishte pësuar një efekt të rrallë anësor ku qelizat e dhjamit ishin zmadhuar në vend të zvogëlimit. Nuk kuptohet ende saktësisht se përse kjo ndodh”.
Evangelista u bë e famshme në vitet 1990-të me një grup modelesh të tjera të famshme si Naomi Campbell, Cindy Crawford e Christy Turlington.