Sulmi i përgjakshëm ndaj Top Channel, momenti kur vidhet makina e krimit (VIDEO)

Është publikuar momenti i vjedhjes së makinës “Range Rover” që u përdor për sulmin me kallashnikov drejt Top Channel mesnatën e djeshme, ku mbeti I vrarë roja i sigurisë, Pal Kola.

Makina e autorëve është vjedhur në korrik të 2020, në fshatin Tale të Lezhës.

Ky automjet i është vjedhur një shtetasi nga Kosova, i cili ishte me pushime në këtë zonë, ndërsa targat e automjetit “AA 456 HC”, janë kallëzuar të vjedhura më datë 31.12.2022, në qytetin e Tiranës.

Kujtojmë se autorët, rreth orës 00:30, kanë qëlluar me dy armë zjarri automatik model AK-47, në drejtim të godinës së Top Channel, ku 20 gëzhoja janë qitur nga një armë zjarri dhe 6 gëzhoja janë qitur nga arma tjetër.

Nga veprimet hetimore të kryera deri tani rezulton se, në orën 00:27 të datës 27.03.2023, automjeti i autorëve është fiksuar nga kamerat e sigurisë, në zonën e Kasharit. Ky automjet ka lëvizur në rrugën dytësore të autostradës Durrës-Tiranë, ka dalë përballë godinës së televizionit Top Channel dhe në atë moment autorët kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të godinës së televizionit.

Autorët, pasi kanë qëlluar me armë zjarri, janë larguar me shpejtësi përsëri nëpërmjet rrugës që kanë ardhur, për në drejtim të Durrësit, dhe në orën 00:36 janë fiksuar nga kamerat e sigurisë në zonën e Kasharit. Në orën 00:55, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë kanë marrë njoftim për djegien e një automjeti, në autostradën Durrës-Rrogozhinë, në vendin e quajtur “Përroi i Agait”.

Sulmi ndaj ndërtesës së Top Channel-it, është dënuar edhe nga presidenti i shtetit, Bajram Begaj, kryeministri, Edi Rama, kryeparlamentarja, Lindita Nikolla, krerët e partive opozitare, Enkelejd Alibeaj dhe Ilir Meta./albeu.com/