Një stuhi rëre kaploi kryeqytetin kinez, Pekinin. Ishte rëra nga shkretëtira Gobi që përfshiu kryeqytetin, e si pasojë ndotja arriti nivel alarmante. Të hënën në mëngjes, më datë 15 mars, sipas kohës lokale, në disa rrethe u bë matja ku ka arritur vlerën PM10 prej 8000 mikrogramë për metër kub.
PM10 tregon përmbajtjen e ndotësve të ajrit në formën e grimcave shumë të vogla, të cilat kur thithen janë të rrezikshme për shëndetin. Mesatarja e Kinës është zakonisht 35 mikrogramë për metër kub. Sipas autoritetit meteorologjik të vendit, ajo ishte stuhia më e fortë e rërës në dekadat e fundit.
Për të folur në lidhje me këtë fenomen të rrallë ishte në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Shqipëria Live”, Ana Koja. Kjo e fundit është një shqiptare që banon në Pekin.
Ana u shpreh se është një fenomen që ndodh çdo pranverë, por jo në këtë mënyrë që ishte kësaj radhe. E pyetur se si ishte jetesa atë ditë, ajo tha se gjithçka ishte normale si ditët e tjera.
“Nuk të merrej fryma, pasi qeveria kineze kishte dhënë disa këshilla, kishte dhënë alarmin më para. Kishte këshilluar që të mbanim maskë, që është diçka normale këtu. 2-3 maska thanë që të mbanim. Jeta nisi normalisht. Të moshuarit vetëm ishin këshilluar që të mos dilnin në ambiente të jashtme”, tha Koja.
Kjo e fundit u shpreh se kjo ndotje e madhe nuk kishte lidhje me fabrikat, por ishte diçka atmosferike.
“Janë përfshirë 12 provinca nga era e fortë. Nuk ndodh vit për vit në këtë shkallë, është e rrallë. Një herë në 10 vjet ka ndodhur në këtë formë”, u shpreh Ana, e cila ka 13 vite në Pekin.
Ajo është e martuar me një irlandez dhe ka fëmijë. “Kur erdha këtu ndryshimi ishte shumë i madh. Ishte pak e vështirë në fillim për tu ambientuar. Nuk dija gjuhën dhe ishte i vështirë komunikimi. Por komuniteti shqiptar këtu më ka ndihmuar shumë. Për festat e Nëntorit këto 3-4 vitet e fundit jemi takuar për të festuar”, përfundoi ajo.