Strakosha sfidon Anglinë dhe zbulon “ëndrrën” Premier League

Anglia zbulon Shqipërinë përmes Thomas Strakoshës. Kuqezinjtë do të përballen për pak ditë në “Air Albania” në kuadër të eliminatoreve të Botërorit teksa gardiani ynë foli për prestigjozen “The Guardian ku zbuloi dëshirat e tij për të ardhmen, situatën në skuadër dhe ajo që ka më rëndësi, formën e mirë të Shqipërisë.

Fillimisht Strakosha flet për emocionet e takimit ndaj “Tre Luanëve”:

“Të përballemi me Anglinë është një entuziazëm i madh për ne dhe një moment i madh për të gjithë, pasi mendoj se Anglia ka disa nga talentet më të mëdha në botë dhe se Premier League është kampionati më i fortë në botë”.

I ngacmuar nga pyetja për një fitore të mundshme ndaj Anglisë, Strakosha tha se do të ishte e pabesueshme, sidomos me situatën e COVID-19 ku do të diçka shumë e madhe për tifozët, të cilët sipas tij kanë kaluar një periudhë shumë e vështirë.

Prej kohësh gardiani i Lazios ka ngjallur interes për shumë klube angleze dhe ky ishte rasti më i mire për “The Guardian” bashkë me lojtarin për të kuptuar dëshirat e tij.

“Më pëlqen se si luajnë në Premier League. Ata luajnë aq shpejt, saqë gjatë një ndeshjeje goditet shumë herë porta dhe një portier ka shumë punë për të bërë. Unë besoj se në Premier League luhet futbolli më i mire, ka shpejtësi dhe përmbysje rezultatesh gjatë sfidave. Sheh ndeshje ku rezultati është 3-0 deri në minutën e 88-të e pastaj përfundon 3-3. Ka momente të çmendura në Premier League dhe tifozët janë kaq afër fushës, është e pabesueshme. Do të dëshiroje të luaje 2 ndeshje në ditë për ndjesinë e jashtëzakonshme që të jep. Kur kam qenë atje për të luajtur miqësore kundër skuadrave angleze, atmosfera ishte e pabesueshme. Të gjithë e kanë ëndërr të luajnë në Premier League” pranoi portiere shqiptar.

Në fund portieri 22-vjeçar jep mendimin e tij për shanset e Shqipërisë në Eliminatore dhe mënyrën e punës në kombëtare…

“Te Shqipëria ka lojtarë që vinë nga vende të ndryshme me stil të ndryshëm futbolli. Nëse do të jemi të zgjuar, mund të vjedhim ide nga njëri-tjetri dhe bëjmë kombinimin perfekt në skuadër. Kemi shumë lojtarë të rinj, por edhe veteranë, ndaj kemi një grup të mirë. E vetmja gjë që duhet të bëjmë , është të jemi të pjekur aq sa duhet dhe t’i marrim ndeshjet një e nga një, që të bëjmë realitet ëndrrën tonë për të shkuar në Botëror. Jemi një skuadër e talentuar dhe me punën e mirë që po bën edhe trajneri Reja, mund të arrimë gjëra të mëdha në këto eliminatore” përfundoi portiere kuqezi në intervistën e gjatë për gazetën prestigjoze “The Guardian”.

Shtuar 26.03.2021 04:03