Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, më 20 nëntor qëndron në Kosovë, në kuadër të një turi në disa shtete të rajonit, ku shefi i aleancës ushtarake perëndimore do të zhvillojë takime në krerët e shteteve.
Sipas agjendës, në Kosovë shefi i NATO-s do të takohet me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, dhe me komandantin e misionit paqeruajtës të aleancës në Kosovë, KFOR, Ozkan Ulutash.
Vizita e Stoltenbergut në Kosovë vjen në kohën e tensioneve, por edhe paralajmërimeve për konflikte të mundshme.
Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë të larta pas një sulmi të armatosur në veri të Kosovës nga një grup i armatosur serbësh.
Po ashtu, komuniteti ndërkombëtar së fundi ka shpeshtuar thirrjet që Kosova të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe e Serbia të njohë de facto pavarësinë e Kosovës.
Ndërkaq, pesë ditë para vizitës së Stoltenbergut në Kosovë, Ukraina ka paralajmëruar se Rusia po synon të nxisë një konflikt në Ballkanin Perëndimor.
Për çështjen e fundit, Bashkimi Evropian është pajtuar me presidentin Volodymyr Zelensky, ndërkaq nga Departamenti amerikan i Shtetit, i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se ndikimi malinj rus në rajonin e Ballkanit Perëndimor pengon rrugën e shteteve drejt integrimeve euroatlantike. DASH u shpreh se pikërisht ky ndikim tregon urgjencën e punës që po bën Uashingtoni për të luftuar ndikimin rus.
Për synimin e Rusisë që të nxisë konflikte në rajon, ka folur më 19 nëntor edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ai tha se Moska po dëshiron të ndezë “një vatër krize në oborrin e Bashkimit Evropian” me qëllim që “ta shpërqendrojë NATO-n”.
Stotelberg do të qëndrojë në Kosovë, shtet ku aleanca ushtarake ka mbi 4.600 trupa. Kosova për një kohë të gjatë ka thënë se ka dy qëllime strategjike sa u përket integrimeve euroatlantike: anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe NATO. Por, për aspiratën e fundit, fillimisht ka kërkuar që të pranohet në Programin e Partneritetit të Paqes.
Por, integrimet euroatlantike të Kosovës shpesh është thënë se do të kalojnë përmes dialogut për normalizim që ndërmjetësohet nga BE-ja.
Megjithatë, në këto dy institucione në të cilat Kosova mëton të anëtarësohet, ka shtete që ende nuk e njohin pavarësinë e shpallur më 2008.