Pranimi i Ukrainës në NATO është vetëm çështje kohe, tha sot presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky teksa mirëpriti Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg në Kiev, i cili po bën një vizitë të paparalajmëruar më parë në kryeqytetin ukrainas.
“Është çështje kohe kur Ukraina do të jetë anëtare de jure e Aleancës. Ne po bëjmë gjithçka për ta bashkuar këtë moment”, tha Zelensky.
Presidenti ukrainas i kërkoi gjithashtu Stoltenbergut më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore për të përballuar sulmet ruse në infrastrukturën energjetike të vendit që priten këtë dimër.
“Sekretari i Përgjithshëm ra dakord të bëjë përpjekje për të na ndihmuar, për të mobilizuar anëtarët e Aleancës”, tha Zelensky gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Stoltenberg.
“Këtë dimër duhet ta kalojmë së bashku, për të mbrojtur infrastrukturën tonë energjetike dhe jetën e bashkëqytetarëve tanë”, theksoi ai.
Stoltenberg tha nga ana e tij se forcat ukrainase po “fitojnë gradualisht terren” në kundërsulmin e tyre kundër forcave ruse.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me Zelensky, sekretari i përgjithshëm i NATO-s tha gjithashtu se trupat ruse po luftojnë për “iluzionet imperialiste” të Moskës.
Jens Stoltenberg njoftoi se NATO tani ka marrëveshje kuadër me kompanitë e armëve me vlerë 2.4 miliardë euro për municione, duke përfshirë porosi specifike prej 1 miliard euro.
Ai shtoi se kontrata të tilla do t’i lejojnë anëtarët e NATO-s të plotësojnë rezervat e tyre duke vazhduar furnizimin me municion në Ukrainë.
Stoltenberg dënoi gjithashtu sulmet ruse pranë kufirit të Ukrainës me Rumaninë anëtare të NATO-s. Ai vuri në dukje se nuk ka prova se këto sulme ishin një sulm i qëllimshëm ndaj Rumanisë, por ai i quajti ato “të rrezikshme” dhe “destabilizuese”.